Ngjajnë si një prej pjesëve më luksoze të Shtëpisë së Bardhë, apo si një suitë hoteli me 5 yje, por në fakt janë ambientet e një spitali. Por jo të një spitali do si do, por të spitalit ku po kurohet njeriu më i fuqishëm i Tokës.
Vetëm 24 orë pasi pohoi se ai dhe Zonja e Parë, Melania Trump, ishin diagnostikuar me COVID-19, Presidenti amerikan, Donald Trump, doli ngadalë nga Shtëpia e Bardhë, për t’u ngjitur në helikopterin presidencial “Marine Force 1”, që e çoi në qendrën mjekësore ushtarake “ Walter Reed”.
Më pas nga spitali Presidenti Trump, ka shkruar një mesazh në “Twitter”, ku tregonte për gjendjen e tij shëndetësore.
“Mendoj se po shkoj mirë! Faleminderit të gjithëve. DASHURI !!! ”,- ka shkruar Presidenti Trump, në një postim në profilin e tij në “Twitter”.
Por si është spitali ku po qëndron i shtuar presidenti Trump?
Trump do të jetë në duart e rreth 7000 anëtarëve të stafit të këtij spitali, ku punojnë disa nga mjekët kryesorë të SHBA-ve.
Siç shkruan “Daily Mail”, Trump do të qëndrojë në Suitën Presidenciale, që ndodhet në një prej 88 ndërtesave të këtij spitali.
Suita Presidenciale është një nga gjashtë dhomat e veçanta të pacientëve të rezervuara për oficerë të rangut të lartë ushtarak dhe anëtarët e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Suita është ‘e pajisur posaçërisht me pajisje mbrojtëse dhe mjete komunikimi të përdorura në mbështetje të presidentit’,- shkroi Admirali Connie Mariano, i cili ka shërbyer si mjek i të dy presidentëve George H.W. Bush dhe Bill Clinton-it dhe ka qenë drejtor i Njësisë Mjekësore të Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë tha se Trump do të punojë nga Suita Presidenciale gjatë qëndrimit të tij prej ‘disa ditësh’ në spital. Ndërkohë, shumë media kanë publikuar pamjet nga Suita Presidenciale e spitalit ku po qëndron Trump dhe duket me të vërtetë si një hotel luksoz.
Kujtojmë që pak para mesnatës, mjeku i Presidentit, Dr. Sean Conley, dha detaje mbi gjendjen shëndetësore të Trump, duke thënë se ai po ia dilte mirë, nuk po merrte oksigjen shtesë dhe si masë paraprake kishte përdorur dozën e parë të “Remdesivir”, e cila ka përshpejtuar kohën e rikuperimit për disa pacientë me koronavirus.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, shtoi se kishte rekomanduar lëvizjen e Presidentit nga Shtëpia e Bardhë në Walter Reed, pas një konsultimi me specialistë.
/Burimi: Daily Mail/ Pwrshtati: GazetaReforma.com/