Një foshnjë rreth 2 muajshe ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore në pediatrinë e Spitalit Rajonal të Korçës, ndërsa dyshohet se përkeqësimi i saj ka ardhur pasi nëna nuk e ka ushqyer me gji.
Sipas burimeve nga policia dhe spitali, foshnja është dërguar në spital në gjendje kritike, ndërsa dyshimet e para lidhen me kequshqyerjen. Bëhet fjalë për një foshnjë të lindur prematurë, në muajin e shtatë të shtatzënisë, e cila fillimisht është trajtuar në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë.
Raportohet se pas trajtimit ajo kishte dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore, por pasi është kthyer në shtëpi ka shfaqur probleme të rënda. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se nëna nuk është kujdesur për ta ushqyer foshnjën me gji, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes së saj.
Burime spitalore bëjnë me dije se foshnja ka mbërritur në pediatri në gjendje shumë të rënduar, me probleme të theksuara respiratore dhe me peshë vetëm 1 kilogram. Sipas mjekëve, kjo është e njëjta peshë që foshnja kishte edhe në momentin e lindjes, dy muaj më parë, çka tregon se nuk ka pasur asnjë zhvillim gjatë kësaj periudhe.
Gjithashtu, dyshohet se nëna mund të ketë probleme të shëndetit mendor, por detaje të tjera pritet të zbardhen në vijim për të përcaktuar nëse ajo ka shfaqur përkeqësim të gjendjes pas lindjes së fëmijës.
Aktualisht, gjendja e foshnjës mbetet shumë e rëndë dhe mjekët po shqyrtojnë mundësinë për ta transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Ndërkohë, policia ndodhet në spital dhe po verifikon rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.







