Skip to content
Kryesore

Fonseca largohet, Conceição merr drejtimin e Milanit

· 1 min lexim

Loja për Paulo Fonseca ka përfunduar. Pas muajsh të tërë në pasiguri, Milani ka vendosur të shkarkojë trajnerin e tij.

Barazimi kundër Romës nuk ishte rezultati më i keq, por i gjithë rrugëtimi i Fonseca-s ka qenë zhgënjyes.

E vetmja dritë pozitive ishte fitorja në derbi ndaj Interit, e cila për një kohë i dha jetë mandatit të tij.

Largimi i Fonseca-s nuk ishte i qetë. Vendimi u bë publik para se trajneri të informohej zyrtarisht, duke shkaktuar një situatë të tensionuar.

Në një konferencë për shtyp, ai mohoi çdo përplasje me Zlatan Ibrahimoviçin ose drejtuesit e klubit dhe deklaroi:

“Po, është e vërtetë, po largohem nga Milani. Më vjen keq, por largohem me ndërgjegje të pastër.”

Shkarkimi u bë pa detyrim financiar për klubin, falë një klauzole kontraktuale që i lejonte Milanit të ndërpriste marrëveshjen në mungesë të rezultateve.

Aktualisht, skuadra renditet në vendin e 8-të me vetëm 27 pikë, 8 pikë larg zonës Champions.

Me largimin e Fonseca-s, Milani ka lëvizur shpejt për të siguruar shërbimet e një tjetër portugezi, Sergio Conceição.

Trajneri i ri ka gjetur një akord të plotë me Zlatan Ibrahimoviçin dhe do të marrë menjëherë drejtimin e skuadrës.