Një incident është regjistruar sot pranë Qendrës Rezidenciale “Lira” në Berat, ku strehohen persona me aftësi ndryshe.
Persona ende të paidentifikuar kanë djegur disa goma pranë ambienteve të qendrës, duke shkaktuar një ndotje të madhe mjedisore.
Sipas të dhënave paraprake, zjarrvënia është konstatuar nga një edukatore e qendrës, e cila njoftoi menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të tyre, flakët u lokalizuan në kohë dhe u shmang përhapja e mëtejshme e zjarrit në zonën përreth.
Fatmirësisht, nuk raportohet për dëme në njerëz apo në godinën e qendrës, megjithatë, tymi i dendur që mbuloi zonën ka shkaktuar shqetësim dhe ndotje të konsiderueshme.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për të identifikuar autorin ose autorët e zjarrvënies së qëllimshme.