Të afërmit e fëmijëve të mbetur në kampin Al Hol në Siri i kanë humbur shpresat për ndihmë tek qeveria. Pas protestës së zhvilluar më 14 shtator 2020, para selisë së Këshillit të Ministrave, ata i kanë kthyer sytë nga Komuniteti Mysliman.
Kërkesa ndaj klerikëve mysliman
Me qindra letra dhe komente janë dërguar në adresë të hoxhës Elcis Naçi nëpërmjet rrjeteve sociale.
Njëri prej tyre, daja i Eva dhe Endrit Duamnit, i shkruan Naçit se e ka marrë si mesazh mbështetje shpërndarjen nga ky i fundit të një dokumentari që tregon gjendjen e fëmijëve shqiptarë në kampin Al Hol.
“Përshëndetje Elvis! Unë quhem Xhetan Ndregjoni! Jam daja i Evës dhe Endrit, dy fëmijë që u rrëmbyen nga prehri i nënës , nga i ati. Të falënderoj me gjithë zemër për mbështetjen tuaj në këte moment kaq delikat për ata fëmijë!
Me shpirt dhe zemër të falënderoj për këtë mesazh kaq të domosdoshëm për tu kthyer ata fëmijë të pafajshëm”.
Qytetarë të tjerë shkruajnë se duhet edhe ndihma e bashksisë islame.
Ylli Gurra: Duhet ndihma e SHBA dhe e Turqisë
Theksojmë në protestën e e zhvilluar më 14 shtator nga të afërmit e fëmijëve shqiptarë ëtë mbetur në Siri, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komunitetit mysliman. Njëri prej tyre është Ylli Gurra, ish-myftiu i Tiranës.
Gurra u shpreh se riatdhesimi i fëmijëve, ndryshe nga ai i të rriturve që përbën rrezik për jetën e tyre, është plotësisht i mundshëm, por ka një kosto të madhe ekonomike dhe diplomatike. Sipas tij duhet ndihma e SHBA-ve për të zgjidhur këtë çështje.
“Duhet dëshira për ndërhyrje dhe bashkëpunim dhe me aleatët amerikan dhe turq të cilët janë dhe njohës të terrenit, përveç kapaciteteve që ata kanë”, tha Gurra, i cili kërkoi më tej ndihmën e qeverisë.
“Ikja nga atje ka një kosto jete, prandaj duhet ndërhyrja e qeverisë, pasi mund të ndërhyjnë dhe grupe të tjera që mund t’i përdorin këta fëmijë për trafikim, pasi nuk ka asnjë instancë zyrtare që të marrë përgjegjësi, ndërkohë që të rriturit nuk dihet ku janë varrosur”, tha Gurra.
Mbi shkaqet e largimit të këtyre familjeve shtatë vite më parë z.Gurra u shpreh se ka qenë një shpëlarje e mirëfilltë truri.
“Fatkeqësisht prindërit e tyre janë gënjyer nga disa zona të getove këtu që i prodhuan ato dhe i dërguan atje përmes Turqisë”, shtoi kleriku Gurra.
“Shkaku kryesor ka qenë profili fetar. Shkuarja në lufte për çlirimin e Sirisë që është pompuar dhe imponuar edhe për familjarë të moshuar të moshave 70 vjeç, duke tërhequr me vete edhe fëmijë të moshave 4 vjeç e lart. Si qytetar dhe si klerik e ndjej të domosdoshme reagimin dhe thirrjen ndaj institucioneve të qeverisë që të bëhet një përçapje për rikthimin e 51 fëmijëve nga mosha 1 vjeç deri në moshën 17 vjeç”, tha z.Gurra.
Deri tani nuk ka asnjë reagim nga qeveria, ndërkohë që Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka bërë thirrje qeverive të tërheqin fëmijët, para dimrit.
/GazetaReforma.com/