INSTAT ka publikuar të dhënat nga anketa e buxhetit të familjeve për vitin 2019. Nëse i krahasojmë me një dekadë më parë, vihet re një lënie e lehtë e shpenzimeve për pije alkoolike dhe duhan të familjeve shqiptare, por ka pasur edhe qarqe që janë rritur.
Qarqet e Elbasanit, Lezhës dhe Beratit kishin shpenzimet më të larta për alkool dhe duhan në raport me buxhetin total përkatës.
Familjet në Elbasan shpenzuan mesatarisht 5.2% të buxhetit të tyre për cigare dhe pije, duke u rritur me 0.6 pikë përqindje në raport me vitin 2009.
Pas Elbasanit, shpenzimet më të larta për alkool dhe duhan i ka Lezha, familjet e së cilës çuan për cigare dhe pije 5.1 % të buxhetit total mujor me një rritje 0.3% në raport me vitin 2009.
Berati, si qarku i tretë me shpenzimet më të larta për këto produkte shpenzoi 4.8% të totalit të buxhetit për konsumin e alkoolit dhe duhanit me një rritje 0.1% me 10 vite më parë.
E katërta renditet Korça e cila shpenzoi 4% të buxhetit total për konsumin e produkteve në fjalë me një rritje 0.4 pikë përqindje në raport me një vit më parë.
Në të kundërt, qarqet e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Vlorës patën shpenzimet më të ulëta për konsumin e pijeve dhe cigareve dhe me një rënie të ndjeshme në10 vitet e fundit.
Familjet në Shkodër shpenzuan mesatarisht 2.9% nga buxheti i tyre mujor për pije dhe duhan me një rënie me 1.3 pikë përqindje në raport me vitin 2019.
E dyta me shpenzimet më të ulëta për këtë grup ishte Gjirokastra, familjet e së cilës çuan 2.9 % të buxhetit të tyre për pije dhe cigare, me një rënie 1.8 pikë përqindje përgjatë dekadës.
Familjet në Qarkun e Vlorës kanë ulur më shumë se çdo qark tjetër shpenzimet për alkool dhe cigare gjatë dekadës gati me 3 pikë përqindje. Më 2019, familjet në këtë qark shpenzuan 3.1% të buxhetit për produktet në fjalë, teksa 10 vite më parë shpenzimet për këtë grup ishin 6.1%.
Konsumi për pije dhe cigare shihet të jetë tipar i qarqeve të varfra. Elbasani u rendit sipas së njëjtës anketë si qarku më i varfër në vend, por gjithashtu edhe me konsumin më të lartë të pijeve dhe cigareve.
Gjithashtu Gjirokastra, e cila ka popullsinë më të plakur, në vend ka konsum të ulët të këtyre produkteve të cilat zakonisht konsumohen nga mosha të reja.
/Burimi: Monitor/GazetaReforma.com/