Policia ka përfunduar një operacion të suksesshëm, duke shpërbërë një grup të strukturuar kriminal që merrej me falsifikimin e dokumenteve për qëllime shitjeje. Grupi kishte anëtarë nga Shqipëria dhe Kosova.
Operacioni çoi në arrestimin e 6 shtetasve: K. D. (35 vjeç), K. G. (57 vjeç), G. L. (28 vjeç), K. D. (56 vjeç), L. B. (58 vjeç) dhe E. D. (20 vjeç). Gjatë operacionit, u sekuestruan 15 dokumente të dyshuara false, të huaja dhe shqiptare, 7 celularë dhe një motomjet.
Njoftimi i Policisë:
“Si rezultat i një hetimi intensiv, të kryer me metoda profesionale, nga Seksioni kundër Krimeve Ekonomike i DVP Tiranë dhe Njësia e Përbashkët e Investigimit me ShBA-në, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Njësia”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. D., 35 vjeç, banues në Tiranë, K. G., 57 vjeç, banues në Prizren, dhe G. L., 28 vjeç, banues në Kaçanik. Gjithashtu, u ndaluan me iniciativë shtetasit K. D., 56 vjeç, L. B., 58 vjeç dhe E. D., 20 vjeçe, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimi ka rezultuar se këta shtetas, të organizuar si grup, falsifikonin dokumente të ndryshme, me qëllim shitjen shtetasve që synonin të lëviznin ilegalisht, drejt shteteve që kërkojnë viza.
Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:
-3 pasaporta dhe 3 karta identiteti amerikane;
-2 pasaporta, 2 karta identiteti dhe 1 leje drejtimi italiane,
-1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi angleze;
-1 leje drejtimi rumune;
-1 kartë identiteti shqiptare.
Së bashku me dokumentet e dyshuara të falsifikuara u sekuestruan 7 celularë dhe 1 motomjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, – thuhet në njoftim.