Epidemiologu i njohur, Ilir Alimehmeti në një intervistë është shprehur muaji shtator ose tetor mund të ketë mutacione të reja të COVID-19. Alimehmti thotë se ky virus ka dhënë herë pas here variante të reja të cilat janë dominante. Ai thotë se virusi tani po luftohet edhe nga vaksina, gjë që nuk e kishim në vjeshtën e kaluar.
“Rreth çdo tre muaj, ky virus ka dhënë variante të tjera, që janë bërë dominante. Vjeshtë-dimri është mbi 3 muaj larg, si rrjedhim është ende herët të flasim. Duhet parë se ç’ka rezervuar natyra në këtë drejtim. Këto 5-6 muaj, virusi po sulmohet dhe nga vaksina, më parë nuk e kishim vaksinën”, shprehet Alimehmeti.
Ndërsa është pyetur për vaksinimin e fëmijëve, Alimehmeti është përgjigjur negativisht. Ai ka thënë se fatmirësishtë fëmijët nuk e vuajnë aq rëndë virusin, ndërsa ka shtuar se mësuesit janë të vaksinuar dhe nuk përbëjnë rrezik për infektimin e tyre. “Fëmijët, fatmirësisht nuk e vuajnë aq rëndë. E kanë më të ulët transmetueshmërinë se të rriturit. Por të kujtojmë se nuk jemi më në 2020-tën. Tashmë kemi një barrierë. Të vjetrit e asaj familje apo mësuesit në shkollë janë tashmë të imunizuar,”- thotë ai.
Sjellim në vëmendje se rastet me Covid-19, në vendin tonë sa vijnë e shtohen në Shqipëri që pas konfirmimit të variantit të ri “Delta” në vendin tonë. Në 24 orët e fundit nuk ka pasur asnjë viktimë, por janë regjistruar 357 raste të reja.