Skip to content
Të Gjitha

Zjarri në MSH: Kush është shefja që ka dhënë dorëheqjen dhe debatet në institucion

· 3 min lexim

Prej ditësh Partia Demokratike dhe Ministria e Shëndetësisë janë përfshirë një një debat publik, pasi selia blu akuzon Ogerta Manastirliun se ka djegur tenderat sekretë.

Fillimisht, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se në ditët e fundit ka pasur një zjarr në katin e katërt te zyra e prokurimeve te Ministria e Shëndetësisë dhe sipas tij zyrtarët e kësaj ministrie duke qenë se nuk ja kanë dalë për të manipuluar tenderat, tashmë që SPAK-u nisi hetimet u vendosën flakën dokumenteve.

Pas mohimit të akuzave nga Manastirliu, në një deklaratë për shtyp, Bardh Spahia ka publikuar një e-mail zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, që sipas tij provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve.

Në e-mail thuhet: “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit”.

LEXO: Zjarri në Ministrinë e Shëndetësisë, PD publikon provat: Ky është e-mail që flet për flakët

Pas këtyre akuzave erdhi edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë që ka deklaruar se email-i i publikuar nga PD, i referohet një incidenti të ndodhur para 26 ditëve, të shkaktuar nga një punonjëse e cila më pas është ndëshkuar.

Ministria hedh poshtë akuzat e PD, duke theksuar se është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë.

Ky reagim u pasua nga replika të tjera nga opozita, ku Gazment Bardhi ka deklaruar se po bëhet një koordinim perfekt i një bande hajdutësh në këtë kohë pandemie, ndërsa shton se tashmë ministrja iu ka vënë zjarrin tenderave sekretë.

LEXO: “Lajme të reja nga fronti i vjedhjes me tendera sekretë”, Bardhi: Ja koordinimi perfekt i bandës së hajdutëve 

Së fundmi, duket se rreth kësaj çështjeje ka zhvillime të reja pasi Marsela Serani, shefja juridike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dhënë dorëheqjen.

Sipas Dosja.al  Serani është larguar nga posti i saj, fill pas rënies së zjarrit në ministri, teksa nuk dihen ende shkaqet e vërteta të këtij largimi, por mësohet se ka pasur përplasje me drejtuesit për firmosjen e disa dokumenteve.

Po ashtu, mësohet se shefja e sektorit në drejtorinë juridike, nuk ka pranuar firmosjen e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por dorëheqja e saj ka lidhje dhe me incidentin.

Kujtojmë se ditën e sotme ministria e Shëndetësisë ka dërguar sot në SPAK të gjitha shkresat e kërkuara për tenderat sekretë.