SPAK zbërthen trafikun e 60.7 tonëve kokainë të grupit Çela-Çopja: 9.2 mln euro pasuri të sekuestruara

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 16 të pandehur në kuadër të hetimeve ndaj organizatës kriminale Çela-Çopja, e dyshuar për trafikimin e të paktën 60.7 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019–2021. Hetimet kanë zbuluar një rrjet ndërkombëtar me disa nivele drejtimi, lidhje në portet europiane dhe mekanizma financiarë për transferimin e miliona eurove. SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 9.18 milionë euro.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Ervis Çela dhe Franc Gergely rezultojnë drejtues të nivelit të parë të organizatës, së bashku me Fadil Ballën. Çela dyshohet se kontrollonte furnizimin me kokainë në Amerikën Latine, negocionte çmimet dhe organizonte transportin nga Bolivia drejt Paraguait. Gergely koordinonte financimin, transportin ndërkombëtar, nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane dhe shpërndarjen e drogës.
Në nivelin e dytë drejtues, SPAK ka identifikuar Petrit Lakatos, bashkëpunëtorin e afërt të Gergelyt, dhe Mikolvan Mullajn, i cili koordinonte veprimtarinë operacionale nën drejtimin e Çelës dhe Ballës.
Nga laboratorët e Bolivisë në portet europiane
Hetimet e bazuara në komunikimet SkyECC dhe EncroChat kanë zbuluar se kokaina prodhohej në laboratorët e rajonit të Andeve, të cilët anëtarët e organizatës i quanin “kuzhina”.
Ngarkesat, që arrinin deri në 500 kilogramë, transportoheshin me avionë të vegjël nga Bolivia drejt zonave rurale të Paraguait. Më pas, droga transferohej në kamionë dhe magazinohej për eksport.
Për kamuflimin e saj përdoreshin kompanitë P.T.S.A. dhe E.P.S.R.L., në pronësi të shtetasit paraguajan D.I.B.C. Kokaina fshihej mes produkteve të ligjshme, përfshirë stuko patinimi, bojëra dhe materiale industriale.
Sipas SPAK, një kilogram kokainë blihej për 4,100–4,200 dollarë, përfshirë transportin deri në portin e Villetës në Paraguaj. Për ngarkimin në anije paguheshin edhe 1,300 dollarë ryshfet për kilogram.
Kontejnerët udhëtonin përmes korridorit lumor Paraguaj–Paraná drejt Buenos Airesit dhe më pas transportoheshin me anije drejt porteve të Hamburgut, Anversës, Barcelonës dhe Rotterdamit.
Një nga elementet e zbuluara është ndryshimi i destinacionit të kontejnerëve gjatë lundrimit, për t’i orientuar drejt porteve ku organizata kishte mundësi të nxirrte kokainën.
Në Anversë të Belgjikës, Franc Gergely dyshohet se kishte kontakte me persona të lidhur me doganat dhe sigurinë portuale, përfshirë operatorë skanerësh. Nxjerrja e drogës nga porti kushtonte 15% të ngarkesës, pagesë që zakonisht kryhej duke dorëzuar një pjesë të kokainës.
Pas mbërritjes në Europë, Holanda shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes.
60.7 tonë kokainë dhe përfitime potenciale miliardëshe
SPAK vlerëson se organizata ka trafikuar jo më pak se 60.7 tonë kokainë gjatë periudhës 2019–2021, ndërsa përfitimet financiare potenciale mund të arrijnë në miliarda euro.
Në pesë episode të dokumentuara, autoritetet kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge:
- Dhjetor 2019, Rotterdam: 255 kg.
- Prill 2020, Barcelonë: 495 kg.
- Maj 2020, Rotterdam: 300 kg.
- Nëntor 2020, Holandë: 600 kg.
- Shkurt 2021, Hamburg: rreth 17 tonë.
Hetimet kanë identifikuar gjithashtu bashkëpunëtorë nga Uruguai, Paraguai dhe Brazili, disa prej të cilëve janë arrestuar, ekstraduar drejt SHBA-së ose shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas komunikimeve, furnizuesit pranonin t’i jepnin Ervis Çelës deri në 2,000–3,000 kilogramë kokainë pa parapagim, ndërsa në disa raste laboratorët nuk arrinin të përmbushnin sasitë e kërkuara.
Për transferimin e parave, organizata përdorte mekanizma informalë si “Hawala” dhe “token”, duke shmangur transfertat bankare. Në komunikime përmenden Shqipëria, Paraguai, Bolivia, Brazili, Turqia dhe Dubai si pika të qarkullimit financiar.
Resorte luksoze, vila dhe biznese: SPAK sekuestron 9.18 milionë euro
Hetimi pasuror ka çuar në sekuestrimin preventiv të një sërë pronash dhe aktivitetesh tregtare që dyshohet se lidhen me të ardhurat kriminale.
Mes pasurive të sekuestruara është “SOLIS FARM” në Baldushk të Tiranës, së bashku me kuotat e shoqërisë, pronat, godinat dhe pajisjet e aktivitetit. Është sekuestruar edhe një llogari bankare me 71,268 euro.
Në emër të Albin Çelës dhe në bashkëpronësi janë sekuestruar prona në Sharrë të Tiranës, përfshirë sipërfaqe me kapanone industriale, një vilë të porositur pranë “NG STRUCTURES” dhe interesa ekonomikë në shoqërinë “Giam Konstruksion”. Në emër të Riza Çelës është sekuestruar një tokë prej 5,900 metrash katrorë.
Sipas ekspertimit, investimet e Albin dhe Riza Çelës për blerjen e tokave tejkalojnë 50 milionë lekë, ndërsa ndërtimi i katër objekteve vlerësohet mbi 1.2 milionë euro.
Në pasuritë e sekuestruara të Fadil Ballës përfshihet resorti “AJMAN PARK” në Xhafzotaj të Durrësit, me investim të vlerësuar në mbi 463 milionë lekë, si dhe një vilë luksoze në kompleksin “Ionian Olea” në Dhërmi, me vlerë tregu 1 milion euro.
SPAK ka sekuestruar gjithashtu 100% të kuotave të “Check Company”, në pronësi të shtetasit me inicialet F.C., dhe 25 automjete të shoqërisë, me vlerë të përllogaritur rreth 70 milionë lekë.
Në total, janë sekuestruar edhe 130 mijë euro cash, automjete dhe sende të tjera me vlerë, ndërsa vlera e përgjithshme e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara arrin afërsisht 9,181,000 euro.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol, në kuadër të operacionit “White Eclipse”, si dhe me autoritetet gjyqësore të disa vendeve europiane dhe të Amerikës Latine.
Dosja tashmë i është dërguar gjykatës për shqyrtim, ndërsa përgjegjësia penale e 16 të pandehurve mbetet për t’u përcaktuar nga drejtësia.