17 miliardë lekë pa asnjë emër projekti: ku do t’i shpenzojë FSHZH e Tan Agollit paratë tona?

Fondi Shqiptar i Zhvillimit kërkon 17 miliardë lekë për «projekte të reja». Cilat projekte? Nuk thuhet. Ku? Nuk thuhet. Për kë? Nuk thuhet.
Në projektbuxhetin e 2027-s, Gazeta Reforma ka gjetur tre zëra, 7,5 miliardë, 6 miliardë dhe 3,5 miliardë lekë, që mbajnë të njëjtin emër: «Projekte të reja Investimi».
Asnjë qytet, asnjë objekt, asnjë shpjegim. Një miliard parashikohet për vitin 2027, ndërsa pjesa tjetër shtyhet në vitet pasardhëse. Buxheti i FSHZH-së, i drejtuar nga Dritan (Tan) Agolli, rritet në 27,2 miliardë lekë.
Kjo kërkesë nuk vjen nga një institucion me dosje të pastër. Vjen nga një institucion që prej vitesh ndjek një rrugë me tenderë të kontestuar, auditime me shkelje dhe emra që përsëriten.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se FSHZH kishte lidhur rreth 10 miliardë lekë kontrata jashtë afateve ligjore dhe kishte përfshirë 21 projekte të reja pa ndjekur procedurat e detyrueshme të planifikimit. Probleme u evidentuan edhe me fondet e rindërtimit: pagesa prej 16,5 miliardë lekësh që nuk përputheshin me ecurinë e punimeve dhe 398 milionë lekë parapagime me mangësi në kontrata.
Pra, një institucion që është kritikuar zyrtarisht për mënyrën si planifikon dhe shpenzon paratë publike, kërkon sot miliarda të tjerë pa i identifikuar projektet në tabelën buxhetore.
Edhe mënyra si shpërndahen tenderat ka ngritur pikëpyetje. Në gusht 2026, FSHZH skualifikoi pesë oferta më të lira në tenderin për bregdetin e Durrësit, me vlerë rreth 6,5 miliardë lekë, dhe shpalli fituese kompaninë Fusha. Pronari i saj, Shkëlqim Fusha, është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion aktiv në një çështje tjetër.
Në shkurt 2026, Komisioni i Prokurimit Publik anuloi një tjetër tender të FSHZH-së prej 540 milionë lekësh për probleme me konkurrencën. Në një procedurë tjetër, nëntë nga dhjetë kompani paraqitën oferta identike, ndërsa e vetmja me ofertë të ndryshme u skualifikua.
Pikëpyetje janë ngritur edhe për lidhjet familjare të drejtuesit. Në programin “100 Fshatrat”, një tender mbi 41 milionë lekë u bë objekt denoncimesh për lidhje mes personave të përfshirë në procedurë dhe biznesit të Flladi Agollit, djalit të Tan Agollit. SPAK nisi verifikime për dyshime mbi konfliktin e interesit.
Mediat kanë raportuar gjithashtu për bizneset e familjarëve të Agollit, marrëdhëniet e raportuara me kompaninë Fusha dhe Magnum Opus Group, të përmendur për kontrata shtetërore dhe një rimbursim TVSH-je mbi 21 milionë lekë.
Ndërkohë, FSHZH është kritikuar edhe për investime publike pranë bizneseve private, si ndërhyrjet në Deltën e Palasës pranë resortit Green Coast të Samir Manes, projekti Zip Line prej 168 milionë lekësh pranë Kantinës Duka dhe investimet në bregdetin e Durrësit, të lidhura në raportimet mediatike me Durrës Marina.
Po llogaria?
Projektet e reja ende nuk dihen. Historia e institucionit që do t’i ndërtojë dihet shumë mirë.
Paratë janë të qytetarëve. Para se të marrin miliardat e radhës, Tan Agolli duhet të tregojë projektet, vendndodhjet dhe përfituesit.