Ngjarja e rëndë që tronditi Manzën më 22 tetor, ku një debat i çastit për një kafe u kthye në përplasje me armë dhe përfundoi me dy viktima, ka hyrë në një fazë të re gjyqësore. Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg Daniel Pepën, 21 vjeç, i akuzuar për vrasjen me dashje të Flori Paluçit, 33 vjeç, gjatë konfliktit të ndodhur në ambientet e një lokali në qendër të fshatit.
Pas disa javësh në arrati, Daniel Pepa u dorëzua një ditë më parë në Policinë e Durrësit, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit që përdori gjatë ngjarjes. Sipas burimeve nga hetuesia, arma është dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalistik, ndërsa dorëzimi i tij është konsideruar një veprim bashkëpunues në kuadër të hetimeve.
Këtë të enjte, i riu u paraqit para Gjykatës së Durrësit për seancën e verifikimit të kushteve të masës së sigurisë. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ndërsa gjykata verifikoi ligjshmërinë e masës së mëparshme të sigurisë, e caktuar në mungesë ndaj të pandehurit.
Burime nga salla e gjyqit bëjnë të ditur se Daniel Pepa u shfaq i penduar, duke kërkuar ndjesë për krimin para trupit gjykues dhe duke deklaruar se “është i gatshëm të përballet me përgjegjësinë e veprimeve të tij”.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, të caktuar më herët me vendimin nr. 692/2, datë 13.11.2025, nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Po ashtu, u urdhërua Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të vijojnë ekzekutimin e vendimit dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas dosjes hetimore, përplasja mes Pepës dhe Paluçit nisi pas një grindjeje për një kafe, që u përshkallëzua brenda pak minutash në përdorim armësh. Fillimisht Paluçi kishte qëlluar në tokë, ndërsa Pepa reagoi duke e qëlluar për vdekje. Nga të shtënat mbeti i vrarë edhe 23-vjeçari Aranit Kurti, miku i Pepës, që u godit nga plumbat e Paluçit pak sekonda para se ky i fundit të rrëzohej pa jetë.
Hetimet për vrasjen e dyfishtë në Manzë vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, e cila po shqyrton nëse në ngjarje mund të kenë qenë të përfshirë persona të tjerë që ndihmuan autorin pas krimit. Deri në përfundimin e hetimeve, Daniel Pepa do të qëndrojë në burg, ndërsa ngjarja vazhdon të mbetet një nga episodet më tronditëse të dhunës absurde që ka parë Durrësi në vitet e fundit.







