Vrasja e Liridona Ademajt/ Apeli vulos burgimin e përjetshëm për Murselin dhe Plavën, 30 vite për Kokallën

Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimet për tre personat e përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt. Bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla do të vuajë 30 vite burg.
Vendimi u bë publik këtë të hënë, më 23 nëntor, nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, i cili rrëzoi ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtjes së palës së dëmtuar dhe avokatëve të të akuzuarve.
Në këtë mënyrë, Apeli konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallur më 6 korrik 2026.
Naim Murseli është shpallur fajtor për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, ndërsa Granit Plava për të njëjtën vepër penale, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Kushtrim Kokalla është dënuar për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Gjykata e Apelit la në fuqi edhe vendimin për rrëzimin e akuzës ndaj tij për moslajmërimin e veprave penale apo autorëve të tyre.
Sipas njoftimit të gjykatës, të dënuarve do t’u përllogaritet në dënim edhe periudha e kaluar në paraburgim, duke nisur nga 1 dhjetori 2023 deri në momentin kur aktgjykimi merr formë të prerë.
Me vendimin e Apelit, dënimet bëhen të formës së prerë dhe do të ekzekutohen menjëherë.
Si u planifikua dhe u krye vrasja e Liridona Ademajt?
Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023, në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jete në Suedi, me vlerë rreth 260 mijë euro.
Prokuroria argumentoi se Murseli kishte bashkëpunuar me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën për organizimin e krimit, duke u premtuar një shpërblim prej 30 mijë eurosh për realizimin e vrasjes.
Sipas akuzës, Kokalla kishte ndërmjetësuar njohjen mes Murselit dhe Plavës, ndërsa ky i fundit ishte personi që kreu vrasjen.
Krimi shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe më gjerë, veçanërisht pasi Naim Murseli, i cili më vonë u akuzua për organizimin e vrasjes, kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë mortore të bashkëshortes së tij.
Pas ngjarjes, familja Ademaj kërkoi zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen e saj në varrezat e familjes.
Tre vite pas krimit që tronditi opinionin publik, Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimet e dhëna në shkallën e parë, duke lënë në fuqi burgimin e përjetshëm për Murselin dhe Plavën dhe dënimin me 30 vite burg për Kokallën.