Skip to content
Kryesore

Moti i keq përfshin Shqipërinë: 5 avionë devijojnë nga Rinasi, ndërprerje të energjisë dhe probleme në rrugë

· 2 min lexim

Moti i keq që ka përfshirë Shqipërinë gjatë orëve të fundit ka shkaktuar probleme në transportin ajror, furnizimin me energji elektrike dhe disa akse rrugore të vendit.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pesë avionë janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative, pasi kushtet e pafavorshme atmosferike kanë bërë të pamundur uljen e tyre në Rinas. Ndërkohë, ngritjet e avionëve vijojnë normalisht.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka publikuar një raport mbi situatën, duke bërë të ditur se 52 fidera elektrikë janë aktualisht jashtë pune, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit.

Sipas ministrisë, rikthimi i energjisë në këto zona vështirësohet nga terreni dhe distancat e mëdha të rrjetit elektrik. Ndërkohë, sistemi i transmetimit, linjat e tensionit të lartë dhe nënstacionet vijojnë të funksionojnë normalisht. Në punë janë edhe linjat që furnizojnë me energji hidrovorët.

Probleme nga rënia e gurëve dhe inerteve janë raportuar në disa akse rrugore, përfshirë Bogë–Theth, Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Rrëshen–Shpal–Qafë Bene, Sopot–Kërnajë, Qafë Mejdan–Tropojë–Bucaj, Bajram Curri–Fierzë, Sopot–Kam, Dushaj–Lekbibaj, Krumë–Qafë Prush dhe Kryqëzimi Plepa–Kam Tropojë.

Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por rruga është mbajtur e pastër. Ministria sqaron se, pavarësisht problematikave, qarkullimi në të gjitha akset nacionale vijon normalisht.

Në Portin e Durrësit, tragetet kanë mbërritur sipas orarit dhe përpunimi i kontejnerëve vazhdon pa ndërprerje. Megjithatë, reshjet e shiut kanë pezulluar përkohësisht shkarkimin e një pjese të mallrave.

Sa i përket Kaskadës së Drinit, prurjet natyrore janë 250 m³/s në Fierzë, 800 m³/s në Koman dhe 50 m³/s në Vaun e Dejës.

Furnizimi me ujë të pijshëm paraqitet normal në të gjitha shoqëritë, ndërsa një problematikë e shkaktuar nga bllokimi i rrugës në Shkozet është menaxhuar nga strukturat përgjegjëse.

Ministria bën të ditur se grupet e punës vijojnë të qëndrojnë në terren për të ndërhyrë në zonat e prekura dhe për të normalizuar situatën.