Jakup Krasniqi rikthehet në Hagë pas katër ditësh në Kosovë, i biri: Babai është mirë me shëndet

Jakup Krasniqi është rikthyer në Hagë pas një vizite katërditore në Kosovë, ku iu lejua të qëndronte pranë bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.
Pas largimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, djali i tij, Altin Krasniqi, ka folur për KosovaPress, duke treguar se vizita ishte shumë e rëndësishme për familjen dhe duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre.
Ai konfirmoi gjithashtu se babai i tij është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pas nevojë, ka qenë shkaku i gjendjes së nënës, që i falënderoj gjithë ata që na kanë mbështetur, gjithë qytetarët. Edhe babai ishte mirë me shëndet”, u shpreh Altin Krasniqi.
Vizita e Jakup Krasniqit në Kosovë u autorizua nga Dhomat e Specializuara në Hagë për arsye humanitare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Gjatë katër ditëve, ai kaloi disa orë çdo ditë me familjen në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ndërsa netët i kaloi në ambientet e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Qëndrimi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, me shoqërimin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Pas përfundimit të vizitës, Krasniqi u rikthye në Hagë, ku vazhdon të mbahet në kuadër të procesit gjyqësor ndaj tij.