Skip to content
Kryesore

Mori pjesë në takimin me Demon dhe Koçiun, Veliaj shkarkon Zhaneta Beqirin pas 11 vitesh! Drejtoresha e çerdheve dhe kopshteve: KLSH ishte pretekst

· 4 min lexim

Pas më shumë se 11 vitesh në drejtimin e çerdheve dhe kopshteve të Tiranës, Zhaneta Beqiri është shkarkuar nga detyra me urdhër të Erion Veliajt, të firmosur nga burgu i Fierit. Vendimi vjen pas pjesëmarrjes së saj në një takim të Partisë Socialiste me Ervin Demon dhe Albana Koçiun, të cilët kanë marrë drejtimin politik të Tiranës, rol që më parë e mbante Veliaj.

Shkarkimi ndodh në kulmin e përplasjes mes Ramës dhe Veliajt, ndërsa ky i fundit vijon të firmosë vendime për administratën bashkiake nga paraburgimi.

Në urdhrin e largimit, Veliaj i referohet një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili rekomandon shqyrtimin e marrjes së një mase ndaj Beqirit.

Por ish-drejtoresha e kundërshton publikisht këtë argument, duke deklaruar se shkarkimi i saj nuk ka asnjë lidhje me auditimin dhe se arsyet janë të tjera.

“Sqaroj për të gjithë, që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot!”, deklaron Beqiri.

Pjesëmarrja e saj në takimin me Demon dhe Koçiun, e ndjekur nga shkarkimi, ka tërhequr vëmendje në një moment kur përplasjet brenda socialistëve po prekin edhe administratën e Bashkisë së Tiranës.

Beqiri e drejtonte institucionin që prej gushtit të vitit 2015. Në reagimin e saj, ajo thekson se gjatë kësaj periudhe ka punuar për përmirësimin e shërbimeve dhe se sot 2.333 punonjës kujdesen për rreth 13 mijë fëmijë në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit.

Ajo falënderon punonjësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët, ndërsa e mbyll reagimin me një mesazh të qartë:

“Funksionet janë të përkohshme. Përkushtimi ndaj njerëzve dhe vlera e punës së bërë mbeten.”

Kështu, pas 11 vitesh në krye të çerdheve dhe kopshteve, Beqiri largohet duke kundërshtuar arsyetimin e Veliajt. Ndërsa ai e mbështet vendimin te raporti i KLSH-së, ish-drejtoresha deklaron se shkaku i vërtetë i largimit nuk lidhet me punën e saj.

Reagimi i plotë i Zhaneta Beqirit:

“Në gusht të vitit 2015 m’u besua një përgjegjësi e veçantë: kujdesi, mirërritja dhe edukimi i fëmijëve të Tiranës. Sot, pas më shumë se njëmbëdhjetë vitesh, e mbyll këtë kapitull me mirënjohje, krenari për punën e bërë dhe respekt për të gjithë bashkëpuntorët me të cilët e ndava këtë rrugëtim.

Drejtimi i një institucioni publik është, para së gjithash, përgjegjësi ndaj qytetarëve, besimi i të cilëve fitohet me punë, korrektësi, transparencë dhe ndershmëri.

Gjatë këtyre viteve, me angazhim, përgjegjësi e profesionalizëm, kam punuar fort për të transformuar kulturën institucionale dhe qasjen ndaj shërbimit, në funksion të më të mirës për zhvillimin e plotë të potencialit të fëmijëve.

Sot, 2.333 punonjës të DPÇK-së kujdesen çdo ditë për rreth 13.000 fëmijë, duke u ofruar një mjedis të sigurt, shërbim cilësor dhe edukim me metodologji bashkëkohore.

Përtej shifrave dhe rezultateve, ajo që çmoj më shumë është marrëdhënia që kemi ndërtuar me mijëra familje të Tiranës. Falenderoj çdo prind e qytetar për besimin dhe vlerësimin ndër vite.

Çdo arritje u bë e mundur falë njerëzve me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Falënderoj çdo mësuese, edukatore, ndihmëse, specialiste, punonjëse e punonjës të DPÇK-së. Ju jeni forca e vërtetë e këtij institucioni.

Sqaroj për të gjithë, që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot!

Largohem me bindjen se vlera e punës së një drejtuesi mbetet te standardet e vendosura dhe njerëzit që do ta çojnë punën përpara. Funksionet janë të përkohshme. Përkushtimi ndaj njerëzve dhe vlera e punës së bërë mbeten. Me respekt dhe mirënjohje për secilin prej jush.”