Skip to content
Rajoni

Votojnë dhe të prekurit me Covid? Ja si po procedojnë grupet e posaçme në Kosovë (foto)

· 2 min lexim

Prej mëngjesit të sotëm të 14 Shkurtit, Kosova i është nënshtruar procesit të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve është koha në të cilën po zhvillohen. Jemi në muajin e 11 të epidemisë globale, por kjo nuk i ka penguar të gjithë qytetarët kosovarë të jenë pjesëmarrës.

Edhe të prekurit nga Covid-19 kanë votuar e do të votojnë deri në fund të ditës së sotme.

Grupe të posaçme kanë shkuar pranë banesave ku ndodhen personat e karantinuar ose në spital për t’iu mundësuar dhe të sëmurëve ose të izoluarve të votojnë.

Siç shihet në fotot e publikuara nga Ballkanëeb, ata janë të veshur me veshje speciale mbrojtëse kundër COVID-19.

Një milion e 794 mijë e 862 votues me të drejt vote, prej tyre 49 mijë e 198 votues për herë të parë, sot vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe Qeveri.

Kujtojmë se këto zgjedhje vijnë pasi qeveria Hoti u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas një kërkese të Lëvizjes Vetëvendosje.

88 prokurorë do të jenë të angazhuar sot në ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestarë.

Theksojmë se këto zgjedhje po zhvillohen në kohë pandemie dhe në kushte atmosferike të ftohta, por kjo nuk i ka penguar qytetarët të jenë pjesëmarrës.