Skip to content
Kryesore

Helmimi i fëmijëve në Vlorë, analizat zbulojnë ujë të ndotur me fekale në kopsht

· 2 min lexim

Një ditë pas helmimit të dyshuar të fëmijëve të Kopshtit nr. 10 në Vlorë, analizat e ujit kanë nxjerrë në pah një problem serioz: në depozitën e institucionit është konstatuar ndotje fekale. Uji i kontaminuar dyshohet të jetë shkaktari i problemeve shëndetësore që çuan shtatë fëmijë në pediatri, pesë prej të cilëve u shtruan në spital.

Sipas raportimeve të publikuara këtë të diel, analizat fillestare kishin evidentuar prani të amoniakut dhe mungesë të klorit, ndërsa rezultatet e mëvonshme kanë zbuluar edhe ndotje fekale.

Ndërkohë, situata është bërë më shqetësuese, pasi në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohet për shtim të pacientëve me diarre dhe të vjella, përfshirë edhe persona të rritur.

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Vlorë po kryen kontrolle të ujit çdo dy orë. Mostrat e mëparshme nga rrjeti i ujësjellësit kanë rezultuar të pastra, ndërsa ndotja është evidentuar në depozitën e kopshtit.

Megjithëse lidhja mes ujit të kontaminuar dhe helmimit të dyshuar të fëmijëve mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht, rezultatet ngrenë pyetje serioze për kushtet higjieno-sanitare dhe kontrollet në institucion.

Kush e ka kontrolluar dhe mirëmbajtur depozitën e ujit? Kur janë kryer analizat e fundit dhe si është lejuar që në një kopsht publik të konstatohet ndotje fekale?

Përgjigjet duhet të vijnë nga institucionet përgjegjëse, ndërsa prindërit presin të mësojnë nëse uji që kanë konsumuar fëmijët e tyre është shkaku i problemeve shëndetësore.