Vaksinimi me hapa të ngadaltë në vend, Greqia ‘shtrin duart’ në Shqipëri, ja çfarë planifikon për të moshuarit
Ndërsa kryeministri Edi Rama përzgjedh mes të moshuarve personalitete, ambasada greke në Shqipëri ka dhuruar teste falas për të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç në bashkinë e Finiqit.
Procesi i testimit do të kryhet në qendrën e fshatrave, ku janë vendosur dhe autoambulancat. Do të vijohet fillimisht me bërjen e testit dhe më pas ata që do të dalin pozitiv do të ndiqen më tej si rast.
Anëtarët e minoriteteve janë gjithashtu në listat e vaksinimit kundër COVID edhe në Greqi, por duhet të paraqiten në qendrat e vaksinimit në shtetin fqinj për të marrë dozën.
Ndërkohë që shteti fqinj e ka një plan të gatshëm dhe për minoritetet, në Shqipëri plani kombëtar i vaksinimit është ende i paqartë.
U tha se pas mjekëve do të vaksinoheshin të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç e më pas do të vijohej me mësuesit e policët, si target-grupet më të rrezikuara.
Por deri më tani janë vaksinuar një përqindje shumë e vogël e mjekëve dhe mes të moshuarve u bë ndarja në personalitete ose jo. Ndërkohë mësuesit dhe policët nuk kanë nisur ende vaksinimin në asnjë prej tyre.
Sa i përket sasisë së vaksinave deri më tani numërohen rreth 9140 doza që mjaftojnë për të vaksinuar vetëm 4570 persona me dy dozat e nevojshme.
Plani i paraqitur deri tani nga qeveria është që brenda 14 muajve të mbarojë vaksinimi i grupeve më të rrezikuara, dhe sipas kryeministrit Edi Rama e gjitha kjo varet nga numri i vaksinave që janë porositur por që nuk dihet ende se kur do të vijnë.