Skip to content
Aktualitet

U arrestua nga Interpoli në Greqi, kush është 50-vjeçari që do të ekstradohet në Shqipëri (EMRI)

· 2 min lexim

Policia e Shtetit ka bërë me dije se është kryer ekstradimi i 50-vjeçarit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, i cili u arrestua dje në Greqi.

Mësohet se bëhet fjalë për 50-vjeçarin Arben Muça nga Tirana, i cili 22 vite më parë kishte kryer në zonën e Kombinatit një vrasje pranë një bilardoje.

50-vjeçari Muça ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës në mungesë me 23 vite burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i Policisë:

Interpol Tirana

Finalizohet me sukses një tjetër bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës

Falë shkëmbimit të informacionit, lokalizohet dhe vihet në pranga në Lamia, Greqi, një i kërkuar për vrasje në Shqipëri.

Në kuadër të bashkëpunimit mes Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana dhe Interpol Athinës, pas shkëmbimeve të vazhdueshme të informacioneve të grumbulluara nga Departamenti i Policisë Kriminale për vendndodhjen e një të kërkuari për vrasje, i cili fshihej në territorin grek, ditën e djeshme Policia greke, ka finalizuar kapjen dhe arrestimin e shtetasit shqiptar, me qëllim ekstradimin e tij drejt vendit tonë, konkretisht shtetasin Arben Muça, 50 vjeç, banues në Tiranë.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Ky shtetas, në vitin 1998, në Kombinat, Tiranë, në rrugën “Kelmendi”, në afërsi të një bilardoje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M. T.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana po vijon procedurat e mëtejshme për ekstradimin e shtetasit Arben Muça drejt vendit tonë