Nard Ndoka kritikon PD-në: Kërkoni ndjesë për Kodin Zgjedhor të 2008-s, pastaj dilni me studentët!

Aleati i Partisë Demokratike, Nard Ndoka, ka kritikuar demokratët pas refuzimit të studentëve për të pranuar pjesëmarrjen e PD-së në protestën e tyre, duke i kërkuar kësaj force politike të marrë përgjegjësi për ndryshimet e sistemit zgjedhor të vitit 2008.
Në reagimin e tij, Ndoka i bën thirrje PD-së të zhbëjë ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara në vitin 2008, në bashkëpunim me Partinë Socialiste, të cilat, sipas tij, dëmtuan rëndë pluralizmin dhe përfaqësimin politik në Shqipëri.
Ai thekson se demokratët nuk mund t’u bashkohen studentëve që protestojnë kundër sistemit politik të krijuar nga dy partitë kryesore, pa pranuar më parë përgjegjësinë për rolin e tyre në ngritjen e këtij sistemi.
“Demokratikas, ndryshoni sistemin, pastaj dilni në shesh!
PD duhet të zhbëjë Kodin Zgjedhor të vitit 2008, që goditi rëndë pluralizmin dhe përfaqësimin politik!
Të protestosh përkrah studentëve që kundërshtojnë sistemin e ngritur nga dy partitë e vjetra, kërkon moral politik, jo protagonizëm folklorik!
Demokratë, bëni detyrën tuaj!
Kërkoni ndjesë për dëmin që i keni shkaktu pluralizmit, ndryshoni sistemin zgjedhor qe ja dhuruat Rames në 2008, pastaj dilni në shesh”, shprehet Ndoka.
Reagimi i tij vjen në një moment kur studentët kanë kundërshtuar përfshirjen e Partisë Demokratike në protestën e tyre, duke kërkuar ndryshimin e sistemit politik që, sipas tyre, është ndërtuar dhe mbështetur ndër vite nga PD-ja dhe PS-ja.
Ndoka e lidh drejtpërdrejt pjesëmarrjen e demokratëve në protestë me nevojën për të rishikuar ndryshimet zgjedhore të vitit 2008, duke kërkuar jo vetëm ndryshimin e sistemit, por edhe një ndjesë publike për pasojat që ai pretendon se këto ndryshime i kanë shkaktuar pluralizmit politik.