Grabitja e Raiffeisen te Komuna e Parisit, qytetari denoncon: Më vodhën 7 mijë euro nga llogaria, prej 2 vitesh banka nuk më kthen paratë dhe nuk më lejon të hyj brenda!

Grabitja me armë e filialit të Raiffeisen Bank te Komuna e Parisit në Tiranë ka nxjerrë në pah një tjetër denoncim ndaj bankës. Ndërsa policia po hetonte ngjarjen, një qytetar u shfaq me dokumente në duar, duke pretenduar se nga llogaria e tij në të njëjtin filial i janë zhdukur 7 mijë euro dhe se prej dy vitesh kërkon kthimin e plotë të parave.
Sipas qytetarit, fillimisht nga llogaria i janë marrë 23 euro, ndërsa rreth tre muaj më vonë edhe 7 mijë euro. Ai pretendon se banka i ka kompensuar vetëm 3 mijë euro, ndërsa 4 mijë eurot e mbetura nuk i janë kthyer, pavarësisht premtimeve të punonjësve.
Qytetari denoncon gjithashtu se drejtuesit e bankës nuk e lejojnë më të hyjë në filial për të kërkuar paratë e tij.
“Urdhëroni kjo është banka. Këtu më kanë vjedhur mua llogarinë time. Kam shkuar i kam njoftuar bankierët për herën e parë që më kanë vjedhur 23 euro, bankierët më kanë thënë që do të kompensojmë iku koha. Pas një kohe 3 mujorshe më grabitën vlerën 7 mijë euro. Më kompensuan 3 mijë euro më thanë do të kompensojmë dhe 4 mijë euro. Ku janë paratë? Që po vij vërdallë kam 2 vjet. Kjo bankë sa të më shohë te dera nuk më lënë të hyj brenda. Edhe aty te ata drejtorët që janë të gjithë, i njoh të gjithë, s’më lënë me u fut. Ku të ankohem, më thoni ju? Shkoj te drejtësia, drejtësia ngre duart lart. Thonë shkoni andej, urdhëroni shikoni. Për këtë e kam e nxjerrë sot, në protestë do shkoj se nuk kam dalë, do dalë dhe thoni atëherë se përse dalin në protestë dhe protestojnë shqiptarët. Urdhëroni shikoni këtu”, deklaroi ai.
Denoncimi u bë pikërisht pas grabitjes së armatosur të filialit pranë kompleksit Kika. Autori, i pajisur me kokore, dyshohet se kërcënoi me armë rojën e sigurisë, mori një shumë parash dhe u largua me monopatinë drejt stadiumit Dinamo. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.
Raiffeisen Bank është përballur edhe më parë me raportime për problematika me kreditë, sigurinë e llogarive, sulme kibernetike dhe raste vjedhjesh nga punonjës të saj.
Ndërkohë, denoncimi i qytetarit ngre pikëpyetje mbi sigurinë e depozitave dhe përgjegjësinë e bankës ndaj klientëve. Pretendimet e tij nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur dhe nuk ka ende një reagim publik të bankës për rastin.