Nga Tuhin Sarkar, Travel and Tour World
Turizmi në Shqipëri ka nisur vitin 2026 me një sinjal shqetësues. Për herë të parë që nga rimëkëmbja pas pandemisë, numri i turistëve të huaj ka pësuar rënie në muajin janar. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, 552,187 shtetas të huaj hynë në Shqipëri në janar 2026, 1.5 përqind më pak se në janar 2025.
Rënia mund të duket e vogël në përqindje, por ajo shënon një kthesë të qartë pas disa vitesh rritjeje të pandërprerë. Në janar 2025, mbërritjet u rritën me 14.5 përqind, ndërsa në janar 2024 rritja ishte gati 30 përqind. Shqipëria ishte kthyer në një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë në rajon, me vizitorë që shtoheshin edhe gjatë muajve të dimrit. Kjo rënie tregon se ritmi i zgjerimit po ngadalësohet.
Një nga arsyet e përmendura nga përfaqësues të sektorit janë kushtet e pafavorshme të motit gjatë janarit. Reshjet e dendura dhe temperaturat e ulëta ndikuan në udhëtimet e shkurtra dhe vizitat urbane, të cilat përbëjnë pjesën kryesore të turizmit dimëror në Shqipëri.
Megjithatë, shqetësimi më i madh lidhet me rritjen e çmimeve, veçanërisht në restorante. Ndërsa hotelet mbeten relativisht të përballueshme, kostot më të larta të ushqimit po ndikojnë në perceptimin e turistëve. Shqipëria ka ndërtuar reputacionin e saj si një destinacion me çmime të arsyeshme krahasuar me vendet e tjera mesdhetare. Nëse shpenzimet ditore rriten ndjeshëm, ky avantazh rrezikon të zbehet.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 Shqipëria priti 12.4 milionë turistë të huaj, një rekord në numra, por rritja vjetore ishte 6.6 përqind, më e ulëta që nga rimëkëmbja pas pandemisë. Kjo tregon se periudha e rritjes së shpejtë po stabilizohet.
Ndërkohë, hyrjet totale në kufi u rritën me 3.3 përqind në janar 2026, falë shtimit të lëvizjes së shtetasve shqiptarë. Hyrjet e tyre u rritën me 7.8 përqind, ndërsa largimet e shtetasve të huaj ranë me 6.2 përqind.
Sipas INSTAT, 98 përqind e të huajve që hynë në Shqipëri në janar e bënë këtë për arsye personale si turizëm apo vizita familjare. Hyrjet për qëllime biznesi ranë me 5.7 përqind, duke ndikuar edhe në shpenzimet mesatare.
Evropa Jugore përbën 88 përqind të hyrjeve evropiane, çka tregon varësinë e lartë nga tregjet rajonale. Çdo ndryshim ekonomik apo rritje çmimesh në rajon reflektohet menjëherë në fluksin e vizitorëve.
Rënia e janarit nuk përbën një krizë, por është një sinjal i qartë se turizmi shqiptar po hyn në një fazë më të kujdesshme. Për të ruajtur ritmin dhe reputacionin si destinacion i përballueshëm, sektori duhet të menaxhojë me kujdes çmimet dhe të forcojë konkurrueshmërinë.
/Përshtati Gazeta Reforma








