Një ngjarje e trishtë është shënuar nga Covid-19, paraditen e kësaj të shtune. Ka humbur betejën 22 vjecarja nga Kolonja.
Ajo ishte shtruar një muaj më parë në Spitalin Infektiv në Tiranë, ku pas përkeqësimit kishte përfunduar në intubim. E ndjera ndodhej me studime në kryeqytet në degën e Financës.
Vajza e re, e cila studionte në Tiranë për Financë, kishte sëmundje bashkëshoqëruese. Bëhet fjalë për një sëmundje në kocka.
Në një postim në rrjetet sociale Euxhena cilësohet “një vajzë shembullore me nota të mira”.
Kujtojmë se sot vendi u trondit nga një tjetër tragjedi, ku tre anëtarë të së njëjtës familje në qytetin e Rubikut humbën jetën si pasojë e Covid-19.
Shqipëria ndodhet në një situatë të rënduar me koronavirusin, ku në 24 orët e fundit kanë humbur betejën me sëmundjen 21 persona, duke e çuar në 1897 numrin e personave që kanë ndërruar jetë që prej fillimit të pandemisë.
Pas shkurtit, që u mbyll me shifra rekord fatalitetesh si pasojë e COVID-19, edhe ditët e para të marsit nuk janë më pak të zymta.
Të dhënat demografike flasin për një tkurrje të popullsisë. Përgjatë vitit pandemik janë më shumë se 6500 humbje jete më tepër në raport me mesataren e viteve të kaluara.