Skip to content
Kronikë

Tragjedia në Qerret, gazetarja tregon dëshminë e punonjësit të pishinës

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Qerret të Kavajës ku humbën jetën 4 shtetas rusë në një hotel.

Ditën e sotme gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje. Lala ka publikuar dëshminë e punonjësit të pishinës, në hotelin në Qerret ku u gjetën të pajetë katër turistët, përkatësisht Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç,  Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.

Ajo thotë se në gjithë misterin e kësaj ngjarje e rëndësishme është dëshmia e punonjësit të pishinës.  Sipas gazetares punonjësi ka thënë se turistët kishin kontaktuar hotelin dhe kishin kërkuar që të bëhej gati zona e SPA, që ata të shplodheshin, kur të ktheheshin nga vizita disa orëshe në Maqedoninë e Veriut.

“Punonjësit e hotelit janë dëshmitarët kyç të kësaj ngjarjeje, hetimet e së cilës janë shtrirë në tre shtete. Ka qenë punonjësja e recepsionit, që ka gjetur të pajetë turistët. E rëndësishme është edhe dëshmia e punonjësit të pishinës, që deklaron se pishina ka qëndruar e mbyllur për afro një javë. Një natë më parë turistët kanë kontaktuar hotelin dhe kanë kërkuar që të bëhej gati zona e SPA, që ata të shplodheshin pasi të ktheheshin nga vizita disa orësh në Maqedoni të Veriut. Ai thotë se në orët e para të mëngjesit të së premtes e ka larë pishinën, ka zbrazur gjithë ujin, e ka larë me furçë, ka përdorur klorin për ta dezinfektuar dhe e ka bërë gati, që ta përdornin turistët”, shprehet Lala.

Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë. Ndërkohë që katër personat e tjerë që ishin me viktimat në Maqedoni do të merren në pyetje ditën e nesërme.

Ndërsa pista më e fortë deri më tani është ajo e asfiksisë nga klori, por po shihet dhe teza e një helmimi të mundshëm.