Skip to content
Të Gjitha

Tërmeti\ Vëzhgimet në ndërtesat e prishura: “Shkelje flagrante të rregullave të sigurisë teknike ”

· 2 min lexim

Tërmeti i 26 nëntorit solli shkatërrimin e mijëra banesave.

Kështu, janë ngritur grupe pune, të cilat po bëjnë verifikime nëpër banesat e dëmtuara.

Së fundmi, janë zbardhur disa detaje sa i përket hetimeve ne qytetin e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit ka konstatuar shkelje flagrante të rregullave të sigurisë teknike në godinat e shembura.

Në godinat e dëmtuara që shkaktuan viktima, janë marrë mostra të hekurit dhe të betonit si dhe janë kryer filmime e fotografime të konstruksionit të këtyre ndërtesave.

Analizat laboratorike kanë nxjerrë në pah faktin se betoni i përdorur nga ndërtuesit nuk kanë qenë në cilësinë e duhur lidhur me rezistencën.

Po ashtu, probleme janë gjetur edhe me kolonat mbajtesë të godinave.

Sipas konstatimeve, ato nuk  kanë pasur dimensionet dhe sasinë e duhur të hekurit, çka ka sjellë edhe dëmtimin e tyre nga lëkundjet e tërmetit.

Tashmë pritet që në muajin janar Prokuroria e Durrësit të zgjerojë numrin e personave nën hetim duke mos përjashtuar edhe arrestime të tjera përveç  shtetasve të vendosur në pranga deri më tani.

Policia ka lëshuar  17 urdhërarreste, por 8 të akuzuar i kanë shpëtuar arrestimit dhe janë në kërkim.

Vendimet për të arrestuarit u morën ditën e sotme nga Gjykata e Apelit të Durrësit.(Lexoni këtu).

Në Prokurorinë e Durrësit janë marrë në pyetje më shumë se 90 persona mes tyre inxhinierë, pronarë objektesh dhe zbatues.