Me këmbën e thyer, policët e tërhoqën zvarrë dhe e rrahën në furgon: Rrëfimi tronditës i Aurelit

Një tjetër dëshmi e rëndë për dhunën policore gjatë protestave në Tiranë. Një i ri, i identifikuar si Aureli, ka rrëfyer se efektivët e Policisë së Shtetit e kanë goditur me shkopinj gome dhe shqelma, e kanë tërhequr drejt furgonit me këmbën e thyer dhe kanë vazhduar ta dhunojnë edhe brenda automjetit, pavarësisht thirrjeve të tij për ndihmë.
Në një intervistë me gazetarin Osman Stafa, Aureli tregoi se po marshonte paqësisht pranë stadiumit “Dinamo”, kur policët iu sulën protestuesve. Duke u përpjekur t’u shpëtonte goditjeve, ai u hodh nga një bordurë pranë një parkimi bosh, ku theu këmbën e djathtë.
“Na shtynë aty dhe na sulën për të na rrahur me shkopinj gome, dhe ne u hodhëm të gjithë. Aty u hodha dhe unë dhe theva këmbën. Tani kam thyerje dhe mjekët më thonë që do shkojmë për operacion, por nuk e di, do shohim deri nesër.”
I riu konfirmoi se është personi me kapuç të verdhë që shfaqet në pamjet e publikuara nga protesta, teksa policët e fusin në furgon. Sipas tij, dhuna nuk përfundoi me ndalimin, por vazhdoi edhe brenda automjetit.
“Unë jam ai personi me kapuçin e verdhë, po, që më fusin në furgon me këmbë të thyer. Dhe aty pastaj vazhdojnë duke më rrahur akoma. Në furgon ishte vetëm një protestues aty. Dhe pastaj vjen shefi dhe i tha atyre:
“Vetëm këtë e keni kapur mo? Nxirrini më jashtë.” Dhe siç ishim ashtu të gjakosur, na kapën, unë me këmbë të thyer, na lanë në rrugë aty.”
Aureli deklaroi se u kishte përsëritur vazhdimisht policëve se kishte këmbën e thyer, por ata nuk kishin ndaluar goditjet dhe as kishin kërkuar ndihmë mjekësore.
“I thashë, i thashë gjithë kohës. Biles, zëri im duke thënë “më është thyer këmba” dëgjohet nëpër videot në Instagram e kudo.”
Ai tregoi gjithashtu se vuan nga skleroza multiple, një sëmundje neurologjike autoimune, dhe se ua kishte bërë të ditur këtë gjendje efektivëve gjatë dhunës.
“Jo, jo, aspak, aspak! Biles i thashë e “të lutem më shoqëroni po deshët, unë vuaj edhe nga një sëmundje neurologjike autoimune, sklerozë multiple…” Ua thashë edhe këtë disa herë, ata prapë godisnin e dhunonin.”
Përveç thyerjes së këmbës së djathtë, Aureli deklaroi se ka pësuar dëmtime në këmbën e majtë dhe në hundë, ndërsa është goditur disa herë në kokë.
“Më kanë goditur, kam fraktura dhe tek këmba e majtë, përveç këmbës së djathtë që më është thyer. Dhe gjithashtu tek hunda. Shyqyr kisha kapuçin sepse goditën gjithë ato herë në kokë. Unë aty e kuptova që ata policë nuk kishin njerëzi. Më përpara mendoja se: Okej, edhe ata janë njerëz, policë, që na mbrojnë në qoftë se ndodh diçka. Por dje më ndryshoi komplet mendimi. Nuk ishin njerëz, i pashë sy më sy, i gjakosur aty më dhunonin me këmbë të thyer.”
Aktualisht, Aureli ndodhet në spital, ku po pret vlerësimin e mjekëve për ndërhyrjen kirurgjikale.
Dëshmia e tij ngre pyetje serioze për veprimet e efektivëve, përdorimin e forcës ndaj një personi të dëmtuar dhe mungesën e ndihmës mjekësore që ai thotë se kërkoi vazhdimisht. Veçanërisht i rëndë është pretendimi se policët vijuan goditjet edhe pasi u njoftuan për thyerjen e këmbës dhe gjendjen e tij shëndetësore.
Rasti kërkon identifikimin e efektivëve të përfshirë, administrimin e pamjeve filmike dhe verifikimin e përgjegjësive individuale. Policia ka detyrimin të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, përfshirë personat që shoqëron ose ndalon gjatë protestave.