Skip to content
Kryesore

“Plumbin e kam ende në sy”/ Flet Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i plagosur nga policia në protestë

· 2 min lexim

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që u godit me plumb gome në syrin e majtë gjatë protestës në Tiranë, ka folur për herë të parë publikisht për Top Channel, duke rrëfyer momentin e plagosjes dhe dhimbjet e forta që vijon të përjetojë.

I riu, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas plagosjes, deklaron se plumbi i gomës ndodhet ende brenda syrit dhe se gjendja e tij vazhdon të jetë shqetësuese.

“Vazhdoj ta kem akoma plumbin e gomës brenda në sy, që më jep shumë dhimbje. Unë s’e di sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është se unë e shoh, kam shumë dhimbje”, shprehet Vishkulli.

Duke përshkruar momentin kur u godit, 28-vjeçari tregon se ndodhej rreth 30 metra larg efektivëve të policisë dhe po largohej nga vendngjarja. Sipas tij, nuk kishte kryer asnjë veprim ndaj policisë në momentin kur u qëllua.

“Unë takova shokët dhe do ikja. Hoqa maskën, i kisha rreth 30 metra larg policët. Asnjë reagim, asgjë, mora rrugën për të ikur. Vetëm kur më vjen një goditje në sy. Eci dy metra, bie në tokë. Kisha dhimbje të tmerrshme”, rrëfen ai.

Plagosja e Vishkullit është një nga rastet më të rënda të dëmtimeve të qytetarëve gjatë përplasjeve mes policisë dhe protestuesve në kryeqytet. Ende nuk është përcaktuar nëse dëmtimi do të ketë pasoja të përhershme në shikimin e tij.

Pavarësisht plagosjes dhe dhimbjeve që vazhdon të përjetojë, 28-vjeçari e mbyll reagimin me një mesazh të fortë për protestën:

“Vetëm fitore! Shqipëria është e jona, deri në fund!”