Tensionet në PD, dy anëtarë të tjerë japin dorëheqjen (Emrat)

Vazhdojnë largimet nga Partia Demokratike ku së fundmi ka dhënë dorëheqjen edhe dy anëtarë të tjerë të kryesisë. Mësohet se deputetët Flamur Hoxha dhe Ori Nebiaj kanë dhënë dorëheqjen mesditën e sotme si anëtarë të kryesisë. Gjatë votimit të djeshëm Flamur Hoxha votoi kundër hapjes së menjëhershme të garës për kryetar të PD-së, ndërsa Nebiaj abstenoi. Theksojmë që edhe Jorida Tabaku dha dorëheqjen si nënkryetare e Partisë Demokratike.
Pasi refuzoi të merrte drejtimin e komanduar të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dhënë dorëheqjen edhe si nënkryetare e partisë. Ky vendim i saj erdhi pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, e cila u zhvillua mes debateve të ashpra dhe tensioneve, ku një pjesë e deputetëve përfshirë Gazment Bardhin u larguan nga mbledhja. Por pavarësisht tensioneve, mbledhja e djeshme e kryesisë së PD vendosi të hapë garën për kryetar të kësaj force politike duke caktuar 29 korrikun si datën e zgjedhjes së kryetarit.
“Pas vendimit të kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si?! Në gjykimin tim veprimet e tilla të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmnton sot për mënyrën se si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret!”, u shpreh Tabaku teksa dha lajmin e dorëheqjes së saj.