“Arlinda thoshte se burri do ta vriste”/ Mikesha mes lotësh: Ishte dënuar në SHBA për dhunë, dyshoj se vrasja u planifikua

Dëshmi tronditëse për jetën e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që u vra në Pejë, vetëm tre ditë pasi kishte paralajmëruar institucionet se jeta e saj ishte në rrezik. Mikesha e saj, Ilirjana Zhubi, ka rrëfyer mes lotësh se Arlinda kishte jetuar prej vitesh me frikën se ish-bashkëshorti mund ta vriste. Ajo pretendon se Jeton Sylaj ishte dënuar më parë në Shtetet e Bashkuara për dhunë dhe ngre dyshime se vrasja mund të ketë qenë e planifikuar.
Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, Zhubi tregoi se e kishte marrë vesh lajmin e vrasjes vetëm pak minuta pas ngjarjes dhe se ende nuk arrinte ta besonte humbjen e mikes së saj.
“Shumë e vështirë ta besoja, ende është si një ëndërr e keqe, jemi në shok. Një vajzë si Arlinda, i përfundoi jeta kështu”, u shpreh ajo.
“Nëse do të ndahesha nga Jetoni, ai do të më vriste”
Sipas Zhubit, Arlinda kishte pasur probleme të vazhdueshme me ish-bashkëshortin dhe familjen e tij, e cila, siç pretendon ajo, nuk e kishte pranuar kurrë martesën.
Megjithatë, Arlinda ishte përpjekur të ruante marrëdhëniet me familjarët e bashkëshortit, edhe gjatë periudhave kur vetë Jetoni nuk komunikonte me ta.
Mikesha e saj tregoi se konfliktet u përshkallëzuan pasi Jetoni rivendosi marrëdhëniet me familjen. Sipas saj, ai nisi t’i kërkonte Arlindës të ndërpriste kontaktet me miqtë dhe të afërmit.
Zhubi kujtoi edhe një deklaratë të Arlindës, që sot tingëllon si një paralajmërim tragjik:
“Arlinda, kur ne e kemi njohur, ka thënë, qoftë në shaka ose realitet, ka thënë: ‘Nëse unë një herë do të doja të ndahesha nga Jetoni, ai do të më vriste.’”
Ajo shtoi se Arlinda ndihej e përbuzur dhe e parespektuar, ndërsa kishte një lidhje jashtëzakonisht të ngushtë me djalin e saj, Anikun.
Mikesha pretendon se ish-bashkëshorti ishte dënuar në SHBA për dhunë
Një tjetër pretendim i rëndë i Zhubit lidhet me të kaluarën e Jeton Sylajt në Shtetet e Bashkuara.
Sipas saj, ai kishte qenë i martuar më parë dhe kishte dy vajza binjake nga ajo martesë. Zhubi deklaroi se Jetoni kishte përfunduar në burg për dhunë dhe se nuk kishte komunikuar me vajzat prej 22 vitesh.
“Jetoni kishte probleme, si trauma nga lufta. Ai kishte edhe një martesë para Arlindës, para shumë, shumë vitesh, kur erdhi në SHBA, ka dy vajza binjake. Nga dhuna e Jetonit, ai përfundoi në burg në SHBA, ata s’kanë pasur komunikim prej 22 vitesh”, deklaroi ajo.
Këto pretendime nuk janë shoqëruar në materialin e publikuar me dokumente gjyqësore amerikane që konfirmojnë dënimin.
“Mendoj se krimi ishte i planifikuar”
Zhubi ngriti dyshime edhe për rrethanat e vrasjes, duke mos përjashtuar mundësinë që ish-bashkëshorti të ketë pasur dijeni ose rol në planifikimin e saj.
“Ne mendojmë se edhe Jetoni do të ketë pasur ndonjë gjë në planifikimin e krimit. Nuk dua të them se ai ka mbushur familjen me një inat të tillë, se ata që në fillim nuk e dashuruan Arlindën. Unë mendoj që kjo është diçka e planifikuar, është një urrejtje e mbjellë mes vetes, ai me qëllim solli nënën dhe vëllanë aty”, tha ajo.
Këto janë dyshime personale të mikes së viktimës dhe jo përfundime të hetimit. Deri tani, Jeton Sylaj është përmendur nga Prokuroria në lidhje me dyshimet për mospërfillje të urdhrit gjyqësor të mbrojtjes, ndërsa për vrasjen dyshohet kunati i Arlindës, Albert Sylaj.
“Askush nuk e mori seriozisht frikën e saj”
Duke kujtuar letrën që Arlinda i kishte dërguar Prokurorisë vetëm tre ditë para vrasjes, Zhubi u shpreh se mikja e saj e kishte ndier prej kohësh rrezikun.
“Kur pashë letrën, thashë: ‘Kjo është Arlinda.’ E dinte, e përmendte gjithmonë, Arlinda e ka parë që do t’i vijë fundi. Askush nuk e mori për seriozisht, askush nuk e kuptoi dhimbjen e saj, frikën e saj.”
Ajo kritikoi edhe mentalitetin që, sipas saj, u kërkon grave të durojnë dhunën për të mos prishur familjen, si dhe mënyrën se si institucionet trajtuan paralajmërimet e Arlindës.
Rrëfimi i Zhubit shton pyetje të tjera mbi historinë e dhunës së pretenduar në familje dhe rrethanat që i paraprinë vrasjes.
Arlinda kishte paralajmëruar institucionet se mund të humbiste jetën. Tani, krahas zbardhjes së krimit, mbetet të hetohet nëse denoncimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje u trajtuan me seriozitetin që kërkonte rreziku.