Vrau 22-vjeçaren shqiptare Ilaria Sula dhe e futi në valixhe, burg përjetë ish-të dashurit

Gjykata e Assizes në Romë ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, ish-të dashurin e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u vra më 25 mars 2025 në Itali. Vendimi i shkallës së parë u shpall këtë të martë, më 27 tetor 2026, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë së Romës, e cila e cilësoi vrasjen si një krim të paramenduar.
“Burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne”, fjalët prekëse të babait të Ilaria Sulës
Pas shpalljes së vendimit, babai i 22-vjeçares, Flamur Sula, u shpreh se drejtësia ishte vendosur në vend, por asnjë dënim nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e familjes për humbjen e vajzës.
“Drejtësia u bë, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, deklaroi ai.
Mes dhimbjes, Flamur Sula përcolli edhe një mesazh për të rinjtë, duke u bërë thirrje të mos heshtin dhe të komunikojnë me familjarët e tyre.
“U them miqve të Ilaria-s dhe në përgjithësi të rinjve: respektoni njëri-tjetrin dhe flisni me prindërit tuaj. Mos heshtni”, tha ai.
Edhe nëna e Ilaria Sulës, Gëzime Sula, e tronditur nga humbja e së bijës, përcolli një apel të shkurtër, por domethënës: “Respektoni gratë, duajini ato”.
Më vonë, mes lotësh dhe e mbështetur te bashkëshorti, ajo shqiptoi fjalët:
“Tani ajo është në paqe”.
Ilaria Sula, studente e Statistikës në Universitetin “La Sapienza” në Romë, u vra me thikë në një apartament në Via Homs. Pas krimit, ish-partneri i saj, me origjinë filipinase, e futi trupin e së resë në një valixhe dhe e hodhi në një zonë shkëmbore në Capranica Prenestina, në afërsi të Romës.
Trupi i 22-vjeçares u gjet më 2 prill 2025, pas disa ditësh kërkimesh intensive. Zhdukja e saj kishte alarmuar familjarët, miqtë dhe kolegët e universitetit, të cilët kishin shpërndarë fotografitë e saj në rrjetet sociale, me shpresën për ta gjetur të gjallë.
Sipas Prokurorisë, Samson e kishte ftuar Ilarian për një takim, të cilin hetuesit e konsideruan një pritë të organizuar. Gjatë procesit gjyqësor, prokurorët argumentuan se 22-vjeçarja fillimisht ishte goditur me grushte dhe më pas disa herë me thikë.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm që më 19 maj, duke argumentuar se vrasja ishte planifikuar dhe kryer me gjakftohtësi. Në proces u shqyrtuan edhe rrethanat rënduese që lidheshin me fshehjen e trupit, motivet e krimit dhe marrëdhënien e mëparshme mes autorit dhe viktimës.
Prokurorët theksuan gjithashtu se, sipas vlerësimit të tyre, Samson nuk kishte shfaqur pendesë të sinqertë për krimin.
I riu, 23 vjeç në kohën e ngjarjes, e kishte pranuar autorësinë e vrasjes gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet italiane.
Hetimet zbuluan gjithashtu se, pas vrasjes, ai kishte vazhduar të përdorte telefonin e Ilaria Sulës, duke iu përgjigjur mesazheve dhe duke publikuar përmbajtje në rrjetet sociale në emër të saj, në përpjekje për të fshehur krimin dhe për të krijuar përshtypjen se e reja ishte ende gjallë.
Në hetime u përfshi edhe nëna e Samsonit, për shkak të dyshimeve se kishte ndihmuar në fshehjen e trupit të viktimës.
Vrasja e Ilaria Sulës tronditi komunitetin shqiptar në Itali dhe opinionin publik, ndërsa vendimi i gjykatës së Romës shënon një zhvillim të rëndësishëm në procesin gjyqësor për krimin që i mori jetën studentes 22-vjeçare. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.