Skip to content
Kryesore

“Të vret natën, të qan ditën”! Rama të vret me taksat tona, shpërblen dhunën me taksat tona, të dërgon jashtë të kurohesh po me taksat tona dhe lyp edhe meritat!

· 4 min lexim

Të vret natën, të qan ditën! Policia e Ramës të plagos me paratë e tua, Rama premton 2,500 euro shpërblim për policët që dhunojnë barbarisht, me paratë e tua dhe pastaj del e mburret se po të shpëton jetën, sërish me paratë e tua! Ky është absurditeti i neveritshëm i një pushteti që kërkon duartrokitje edhe për kurimin e plagëve që shkakton vetë.

Erjon Vishkulli, 28 vjeç, u godit në sy me plumb gome gjatë protestës dhe rrezikon shikimin. Policia që paguajmë me taksat tona për të na mbrojtur e la të plagosur rëndë. Dhe çfarë bën kryeministri? Në vend që vëmendja të përqendrohet te përgjegjësia për plagosjen, del publikisht dhe kërkon meritat se është angazhuar personalisht për ta dërguar në Itali, me avion mjekësor dhe shpenzime të mbuluara nga shteti.

Po kush je ti, Rame, që kërkon lavdërime se po kuron me paratë tona një qytetar të plagosur nga policia jote?!

Nuk po paguan asgjë nga xhepi yt! Nuk po i bën asnjë nder Erjonit! Po përdor taksat e qytetarëve, të njëjtëve qytetarë që financojnë policinë, qeverinë, spitalet dhe pagën tënde.

Me paratë tona paguhen uniformat që na dhunojnë, me paratë tona shpërblehen për dhunën dhe me paratë tona paguhen mjekët që duhet të na riparojnë dëmet!

Madje, mjekët duhet t’i kërkojmë jashtë Shqipërisë!

Sepse pas gjithë këtyre viteve në pushtet, pas miliardave të administruara nga kjo qeveri, qytetarët vazhdojnë të përballen me spitale ku mungojnë medikamente, pajisje dhe shërbime bazike. Një sistem shëndetësor që duhet t’u shërbejë të gjithëve, por ku shumë pacientë detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit ose të paguajnë nga xhepi.

Ku kanë shkuar taksat tona, Rame? Në cilat xhepa kanë përfunduar paratë që duhet të kishin ndërtuar spitale dinjitoze dhe garantuar ilaçe për qytetarët?

Dhe tani kryeministri kërkon merita edhe për faktin që Erjoni duhet të kurohet në Itali! Në vend që të japë llogari për kapacitetet e sistemit shëndetësor që ka qeverisur për vite me radhë, e paraqet transportimin jashtë vendit si një arritje personale.

Ndërkohë, mijëra pacientë të tjerë dergjen spitaleve, presin trajtime, kërkojnë medikamente dhe përballen me kushte që nuk duhet të ekzistonin në një vend ku qytetarët paguajnë taksa edhe për shëndetësinë.

Po ata kush do t’i çojë në Itali, Rame? Apo duhet t’i plagosë më parë policia që të meritojnë vëmendjen tënde personale?

Kulmi i kësaj shfaqjeje është se kryeministri deklaron se nuk e ka bërë për protagonizëm. Por më pas përfshihet në një debat publik me motrën e Erjonit, e cila kundërshtoi pretendimet për organizimin e transportit, këmbëngul se shpenzimet i ka mbuluar shteti dhe publikon deklaratën e vëllait për të provuar se institucionet kanë siguruar avionin.

Pra, një 28-vjeçar lufton për të shpëtuar shikimin, ndërsa kryeministri lufton për të marrë meritat e avionit!

Sa më shumë përpiqet Rama të tregojë kush e pagoi kurimin, aq më shumë shmanget pyetja që duhet t’i drejtohet qeverisë së tij: Kush e qëlloi Erjonin në sy? Kush dha urdhrat për ndërhyrjen policore? Kush do të përgjigjet për plagosjen e tij?

Sepse shteti nuk është pronë e Ramës. Buxheti nuk është portofoli i tij. Dhe shërbimet publike nuk janë dhurata që kryeministri ua shpërndan qytetarëve sipas dëshirës.

Të plagosin me taksat e tua. Të shpërblejnë policinë me taksat e tua. Të lënë pa kushtet e nevojshme për t’u kuruar në vendin tënd. Pastaj të dërgojnë jashtë me taksat e tua dhe kërkojnë t’i falënderosh!

Kjo është farsa: pushteti kërkon mirënjohje për trajtimin e pasojave të dhunës së institucionit të vet, ndërsa qytetari paguan çdo faturë dhe pret drejtësi.

Rama, nuk të takon asnjë medalje pse shteti po paguan kurimin e Erjonit. Përgjigju për plumbin, jo për avionin!