Taksat e reja të makinave godasin qytetarët: Dyfishohen detyrimet, preken miliona mjete

Paketa e re fiskale pritet të rëndojë xhepat e mijëra drejtuesve të automjeteve në Shqipëri. Taksat vjetore për disa makina të përdorura do të dyfishohen, mbi 10 mijë automjete elektrike do të taksohen për herë të parë, ndërsa një tarifë e re do të prekë edhe mjetet me targa të huaja që hyjnë në vend.
Ndryshimet parashikojnë heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve dhe transferimin e saj te detyrimet vjetore të automjeteve. Kjo do të thotë se, edhe pse nafta pritet të ulet me 32,3 lekë për litër, pronarët e makinave do të përballen me taksa më të larta.
Për makinat e përdorura, rritja mund të arrijë deri në 100%. Një automjet me naftë, i prodhuar në vitin 2013, me motor 2.0, që aktualisht paguan 9 mijë lekë taksë vjetore, me formulën e re do të paguajë 18 mijë lekë.
As automjetet elektrike nuk do t’i shpëtojnë taksimit. Mbi 10 mijë mjete të kësaj kategorie, që aktualisht nuk paguajnë taksë vjetore, pritet të përfshihen në skemën e re. Për autoveturat elektrike dhe autobusët propozohet një detyrim prej 15 mijë lekësh në vit, ndërsa për motomjetet elektrike 1 mijë lekë.
Rritje të ndjeshme do të pësojnë edhe makinat luksoze. Taksa e tyre vjetore parashikohet të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë, ose 19 mijë lekë më shumë. Vetëm nga kjo kategori, qeveria synon të mbledhë 430 milionë lekë shtesë.
Një tjetër ndryshim prek automjetet me targa të huaja. Për herë të parë, ato do t’i nënshtrohen një takse qarkullimi gjatë hyrjes në Shqipëri, e cila pritet të llogaritet sipas ditëve të qëndrimit. Tarifa konkrete ende nuk është përcaktuar.
Përmasat e kësaj mase janë të konsiderueshme: sipas Ministrisë së Financave, vetëm gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2026, në Shqipëri kanë hyrë rreth 2,6 milionë mjete me targa të huaja.
Rama, gjatë prezantimit të paketës fiskale, deklaroi:
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Por ulja e çmimit të naftës nuk do të thotë domosdoshmërisht ulje e shpenzimeve për çdo qytetar. Ata që përdorin rrallë automjetin mund të paguajnë më shumë në taksa sesa kursejnë nga karburanti. Ndërsa pronarët e makinave elektrike do të përballen me një detyrim që deri tani nuk ekzistonte.
Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksat e automjeteve pritet të rriten me 7,2 miliardë lekë, nga 26,6 miliardë në 33,8 miliardë lekë në vit.
Ndryshimet janë ende në fazën e projektligjit, por nëse miratohen, do të sjellin një rishpërndarje të barrës fiskale mbi pronarët e automjeteve, me rritje të drejtpërdrejta të detyrimeve për disa kategori.
Burimi: Monitor