Në prag të një proteste masive në Beograd, qindra traktorë janë vendosur në pjesë të ndryshme të qytetit, duke ngritur dyshime mbi synimin e tyre. Shumë prej tyre janë pa targa ose me targa të mbuluara, çka ka shtuar spekulimet mbi një strategji të mundshme të autoriteteve serbe për të ndikuar në ecurinë e demonstratës.
Sipas medias serbe “Nova”, një nga skenarët e mundshëm është përdorimi i traktorëve për të krijuar frikë dhe për të ulur numrin e pjesëmarrësve në tubimin e së shtunës. Një tjetër teori sugjeron se ata mund të shërbejnë për të bllokuar hyrjet kryesore të Beogradit më 15 mars, duke penguar protestuesit të arrijnë në qendër të qytetit.
Disa nga kompanitë që posedojnë këta traktorë janë vizituar më parë nga presidenti Aleksandar Vuçiç, por nuk është e qartë nëse janë udhëzuar drejtpërdrejt për t’i sjellë në Beograd. Megjithatë, prania e tyre në qytet ka ngritur shqetësime mes organizatorëve të protestës dhe opinionit publik.
Beogradi në prag të protestës më të madhe në dekada
Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit të premten mbrëma për të mirëpritur studentët që mbërritën në kryeqytet pas një marshimi të gjatë nga pjesë të ndryshme të Serbisë. Me pankarta që lexonin “Studentë, Beogradi është i juaji”, ata u pritën me medalje dhe lule në një demonstrim mbështetjeje të gjerë.
Studentët, të cilët kanë bllokuar fakultetet e tyre për më shumë se tre muaj, kanë bërë thirrje për një protestë të madhe më 15 mars. Tubimi i së shtunës pritet të jetë më i madhi në Serbi në dekada. Vetë presidenti Vuçiç ka pranuar se rreth 60,000 deri në 80,000 njerëz pritet të marrin pjesë, ndërsa organizatorët besojnë se numri do të jetë edhe më i lartë.
Kërkesat kryesore të protestuesve përfshijnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024. Ky incident ka shërbyer si një pikënisje për valën e protestave që kanë përfshirë gjithë vendin.
Pse shpërthyen protestat në Serbi?
Sipas aktivistes Aleksandra Tomanic, e cila foli në podkastin “Public Square” me Ditmir Bushatin, protestat u nxitën nga tragjedia e Novi Sadit, por shpejt u shndërruan në një revoltë kundër sistemit politik dhe korrupsionit.
“Shembja e strehës së stacionit hekurudhor, që sapo ishte inauguruar nga liderët politikë, tregoi qartë dështimin e institucioneve dhe nivelin e lartë të korrupsionit,” tha Tomanic. “Njerëzit e panë këtë si një vrasje dhe jo thjesht një aksident.”
Pas tragjedisë, protestat filluan në Novi Sad dhe shpejt u përhapën në universitete të ndryshme, ku studentët organizuan bllokada. Regjimi u përgjigj me arrestime dhe ndërhyrje të dhunshme, duke e rritur edhe më shumë zemërimin e qytetarëve.
Në vetëm pak javë, 65 universitete u bllokuan nga studentët, të cilët vazhdojnë të protestojnë për më shumë se tre muaj. Për ta, çështja kryesore nuk është vetëm drejtësia për viktimat e Novi Sadit, por një kërkesë më e gjerë për ndryshim dhe llogaridhënie nga qeveria.
Protesta e së shtunës shihet si një moment kyç për të ardhmen e lëvizjes. Nëse numri i pjesëmarrësve do të jetë aq i madh sa parashikohet, presioni mbi qeverinë e Vuçiçit mund të arrijë nivele të reja, duke e vënë atë përballë një sfide serioze politike.