S’ngopet me patronazhistë/ Rama rekruton “ushtrinë” 2.0, mbi 100 aplikantë për propagandën me paratë e shqiptarëve

Etja e Edi Ramës për të zgjeruar ushtrinë që prodhon, paketon dhe shpërndan propagandën qeveritare duket se nuk mbaron. Pas patronazhistëve, administratës së kthyer ndër vite në makineri elektorale dhe një aparati komunikimi që kontrollon deri në detaj mesazhin e qeverisë, kryeministri po shtyn përpara rekrutimin e radhës përmes të ashtuquajturit “Rrjeti MIA”.
Tre ditë para mbylljes së aplikimeve, Rama njofton se interesimi ka kaluar tashmë shifrën 100. Në kërkim janë gazetarë, krijues, dizajnerë, programues dhe ekspertë të teknologjisë, inteligjencës artificiale, videos dhe analizës së të dhënave.
Me pak fjalë, patronazhimi i vjetër duket se nuk mjafton më. Mandati i katërt kërkon edhe patronazhimin 2.0.
Qeverisë nuk i mjaftojnë më njerëzit që trokasin derë më derë; tani kërkohen profesionistë që dinë ta prodhojnë mesazhin, ta paketojnë, ta shpërndajnë në rrjete sociale dhe, me teknologjitë e reja, ta bëjnë sa më bindës për publikun.
Njoftimi i sotëm tregon se procesi ka avancuar. Sipas vetë Ramës, aplikimet kanë kaluar 100 dhe Kryeministria kërkon ende kandidatë për dy format e përfshirjes: “Puno me ne”, për t’u bërë pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore, dhe “Bashkëpuno me ne”, për të propozuar ide, projekte apo zgjidhje të reja.
“Ne kërkojmë talent, energji, ide e mbi të gjitha vullnet për kontribute të reja në komunikimin publik të së nesërmes dhe premtojmë një proces vlerësimi meritokratik të çdo kandidati. Sepse ne duam thjesht më të mirët.
Deri tani kemi marrë një numër surprizë aplikimesh që sapo ka kaluar mbi 100”, shkruan Rama.
Por pyetja që mbetet është e njëjta që kemi ngritur edhe më herët: përse një qeverie që ka ministri, zyra shtypi, zëdhënës, struktura komunikimi dhe mbi të gjitha Agjencinë për Media dhe Informim i duhet të zgjerojë më tej këtë makineri?
Sepse këta njerëz nuk do të paguhen nga xhepi i Edi Ramës. Strukturat shtetërore financohen me paratë e qytetarëve dhe pikërisht këtu nis problemi: deri ku përfundon informimi institucional dhe ku nis propaganda politike e pushtetit?
Në vend të një administrate që thjesht informon qytetarët për punën e institucioneve, po ndërtohet një rrjet që kërkon ekspertizë në çdo hallkë të komunikimit modern: nga gazetaria te videoja, nga dizajni te të dhënat, nga teknologjia deri te inteligjenca artificiale.
Rama e quan “komunikimi publik i së nesërmes”. Ne e kemi quajtur me një emër shumë më të thjeshtë: rekrutimi i ri i propagandës.
Sepse etja për ta zgjeruar këtë aparat duket se nuk mbaron kurrë. Në një Shqipëri nga e cila të rinjtë kanë ikur masivisht në kërkim të pagave dhe mundësive më të mira, qeveria u hap tani një derë tjetër: ejani dhe vendosni talentin, kreativitetin, gazetarinë, teknologjinë dhe madje inteligjencën artificiale në dispozicion të makinerisë së saj të komunikimit.
Mbi 100 e kanë provuar tashmë derën.
Dhe Rama kërkon të tjerë.