Skip to content
Të Gjitha

Skandali në Fier/ Prona shtetërore në dorë të trafikantëve, mbillet kanabisi në pronën e Bordit të Kullimit…S’kemi lekë për roje

· 2 min lexim

Kultivuesit e kanabisit kanë filluar të ndryshojnë taktika në mbjelljen e kanabisit, duke e zëvendësuar mbjelljen e fidanëve nga tokat private në ato shtetëroret.

Rasti më i fundit është zbuluar në Fier, ku ditën e djeshme Policia e Fierit gjeti dhe sekuestroi 420 rrënjë kanabisi, të gjitha të mbjellura në pronën shtetërore, e administruar nga Bordi i Kullimit.

Në pyllin e Semanit, pranë kanalit të ‘Ngjalës’, një 35 vjeçar me iniciale J.G banues në Dërmënas, ka shfrytëzuar pronën shtetërore për mbjelljen e kamabisit.

Përveç 35 vjeçarit Policia e Fierit dërgoi për ndjekje penale në gjendje të lirë inxhinierin e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, 37 vjeçarin E.K, ndërsa procedoi penalisht për mos kallëzim krimi kryeplakun e fshatit Grykë, Tonin Çela.

Inxhinieri akuzohet për shpërdorim detyre, pasi toka e shfrytëzuar ishte tokë shtetërore. Por “Bordi i Kullimit” ka reaguar menjëherë duke mbrojtur punonjësin e tyre dhe duke thënë se toka nuk ruhej pasi kishin bërë shkurtime sepse  prej vitesh kishin mungesë fondesh.

Gjithashtu ata janë shprehur se me një punonjës më pak e kishin të pamundur ta mbanin nën kontroll tokën, duke e lënë në “duar të trafikantëve”.

Njoftimi i policisë

Policia e Fierit ka zbuluar se në tokën e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, u gjetën dhe u sekuestruan fidanë kanabis sativa. Në pranga u vu një 35-vjeçar me iniciale J.G banues në Dërmënas si autorë i dyshuar i mbjelljes së fidanëve.

Gjithashtu u procedua penalisht për moskallëzim krimi, kryeplaku i fshati Grykë, shtetasi T. Ç., 58 vjeç, si edhe u procedua për shpërdorim detyre  inxhinieri i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier, shtetasi E. K., 37 vjeç, banues në Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”,  “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.