Konviktet “europiane” të Universitetit Bujqësor mbeten pa ujë të ngrohtë dhe ngrohje
Konviktet e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilat u inauguruan në vitin 2020 si godina moderne me standarde europiane, janë përballur me mungesë uji të ngrohtë dhe kushte të papërshtatshme jetese. Pavarësisht se pas tërmetit të vitit 2019 u rindërtuan nga themelet dhe përfunduan në vitin 2022 me kapacitet për 2200 studentë, realiteti i përditshëm për banorët e godinës Nr.1 është larg premtimeve.
Studentët: “Pa dushe, pa ngrohje, pa siguri”
Në një raportim të emisionit “Fiks Fare”, 144 vajzat që banojnë në godinën Nr.1 denoncuan kushtet ku jetojnë. Ato pohojnë se që prej shtatorit 2024 nuk kanë pasur ujë të ngrohtë dhe detyrohen të lahen në godinën Nr.7, që ndodhet përballë. Në dhomat e tyre, mungesa e ujit të ngrohtë është e plotë dhe për të përballuar të ftohtin, janë detyruar të blejnë vetë ngrohëse elektrike.
Studentët kanë adresuar shqetësimet tek drejtoresha e godinës, përgjegjëset, madje edhe tek Drejtoresha e Administrimit të Godinave, znj. Ilda Shehu. Ato kanë dorëzuar disa peticione pranë Drejtorisë së Konvikteve të Tiranës (DKSHM), por nuk kanë marrë një zgjidhje.
Drejtoresha: “Kaloni në godinë tjetër ose dilni me qira”
Sipas vajzave, drejtoresha e godinës, znj. Enerilda Ndoci, u ka sugjeruar të zhvendosen në godinën Nr.7 ose të gjejnë një shtëpi me qira. Por ato refuzojnë, duke u shprehur se godina në fjalë është e pasigurt, pa kamera sigurie dhe në kushte të mjerueshme. Godina Nr.7, e cila më parë ka shërbyer si strukturë mikpritëse për turistët, është e amortizuar, me tualete që rrjedhin ujë dhe sirtarë të mykur. Mungojnë edhe kamerat e sigurisë në korridore, duke e bërë ambientin jo të përshtatshëm për vajzat.
“Na kanë vënë përballë një ultimatum: ose kaloni në godinën tjetër, ose gjeni vetë një shtëpi me qira”, u shprehën vajzat për kamerat e emisionit.
Pamje nga brenda godinës: amortizim dhe kushte të vështira
Gazetarët e “Fiks Fare” u futën brenda ambienteve të godinës bashkë me studentet, ku dokumentuan amortizimin e ambienteve: dyer të dëmtuara, tualete që rrjedhin ujë dhe mungesë e infrastrukturës bazë. Në një intervistë me emisionin, drejtoresha Ndoci pranoi se problemi me ujin është teknik dhe nuk mund të japë shpjegime të mëtejshme. Sipas saj, godina Nr.7 ka ujë të ngrohtë dhe mbetet zgjidhja më e mirë për vajzat.
Zgjidhja provizore: Zhvendosje në godinën Nr.4
Drejtoria e Administrimit të Godinave në UBT reagoi duke vendosur të zhvendosë 140 vajzat në godinën Nr.4. Kjo godinë ofron kushte më të mira jetese dhe siguri të ngjashme me godinën Nr.1. Kështu, studentet u sistemuan në një ambient më të përshtatshëm, duke zgjidhur vetëm përkohësisht shqetësimet e tyre.