Skandali i “Smart City” trondit publikun, Ahmetaj: Shqiptarët paguajnë 15 mijë dollarë për një kamerë trupi, 52 mijë për trafikun

Denoncimi i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për projektin “Smart City” po thellohet, ndërsa dalin në dritë detaje të reja mbi mënyrën se si është lidhur marrëveshja dhe shifrat marramendëse që pritet të paguajnë qytetarët shqiptarë.
Mbrëmjen e kaluar, gjatë një interviste në Çim Peka LIVE në SYRI TV, Ahmetaj e cilësoi projektin si një tjetër aferë të rëndë financiare dhe sigurie, duke deklaruar se kostoja fillestare prej 60 milionë dollarësh është rritur në 140 milionë dollarë. Fondi, sipas tij, është siguruar si kredi nga Abu Dhabi dhe i është dhënë një kompanie të caktuar pa garë dhe pa tender.
Ahmetaj deklaroi se me vizitën e një ish-ministri të Brendshëm është përzgjedhur një kompani “X”, pa e përmendur publikisht emrin. Por sipas informacioneve të publikuara nga media, ish-ministri i Brendshëm rezulton të jetë Taulant Balla, aktualisht kreu i grupit parlamentar socialist. Sipas të dhënave, Balla ka firmosur më 23 prill 2024, gjatë një vizite zyrtare dyditore në Abu Dhabi, marrëveshjen për zhvillimin e projektit “Smart City” në disa qytete të Shqipërisë.

Në qendër të akuzave janë shifrat që Ahmetaj i cilëson “çmenduri”. Sipas tij, një kamerë trupi për efektivët e policisë, e integruar me sistemin qendror, do t’u kushtojë shqiptarëve 15.723 dollarë, ndërsa një kamerë për monitorimin e trafikut arrin në 52.000 dollarë. “Janë gjashtë deri në shtatë herë mbi çmimin real të tregut”, theksoi ai, duke shtuar se vetëm për kamerat e trupit po shpenzohet thuajse gjysma e fondit total të projektit.
“Një kamerë trupi 15 mijë dollarë. Një çmenduri. Një çmenduri absolute”, u shpreh Ahmetaj gjatë intervistës, duke kujtuar se më herët policia shqiptare kishte blerë kamera trupi me një kosto shumë më të ulët.
Por përtej abuzimit financiar, ish-zv.kryeministri ngriti alarmin për një problem edhe më të rëndë, sigurinë kombëtare. Sipas tij, kontrata i jep një kompanie nga një vend jashtë NATO-s akses në infrastrukturën kritike të shtetit dhe në të dhëna tepër sensitive të qytetarëve, përfshirë lëvizjet, targat dhe të dhënat biometrike.
“Ore, të dhënat tona, retinën e syve, targat, si mund t’i ketë një vend jashtë NATO-s?”, tha Ahmetaj, duke shtuar se këto të dhëna janë pasuria më e madhe e shqiptarëve dhe nuk mund të lihen në duar të paçertifikuara sipas standardeve të Aleancës.
Ai paralajmëroi rrezikun e përdorimit të një “teknologjie armiqësore”, duke kërkuar që specialistët e sigurisë kombëtare të hetojnë me kujdes sistemet që do të instalohen. Sipas tij, rreziku nuk është teorik, por real, pasi bëhet fjalë për kontrollin e një infrastrukture që monitoron jetën e përditshme të qytetarëve.
Ahmetaj sulmoi gjithashtu mungesën e hetimeve dhe transparencës, duke ironizuar rolin e SPAK dhe duke deklaruar se faktet janë të dokumentuara edhe në të dhënat doganore. Sipas tij, në 10 vitet e fundit janë importuar rreth 1 milion pajisje dhe sisteme sigurie me vlerë rreth 50 milionë euro, ndërkohë që sot po parashikohet blerja e rreth 800 pajisjeve për 140 milionë dollarë.
Në fund, Ahmetaj ngriti pyetjen se pse po ndërtohet një projekt i ri kaq i shtrenjtë, kur Banka Botërore ka financuar më parë me 70 milionë dollarë monitorimin e trafikut dhe bashkitë kanë investuar tashmë në sisteme të ngjashme sigurie.
Denoncimet e fundit kanë shtuar presionin publik për sqarime mbi rolin e zyrtarëve që kanë firmosur marrëveshjen, procedurat e ndjekura dhe rrezikun që ky projekt, i quajtur “Smart City”, të kthehet në një tjetër aferë të rëndë financiare dhe sigurie për vendin.
Read next
“Kam frikë se do t’i bëjë keq babait”/ Zbardhet dosja e Xhuana Nikollajt: Kërcënimet e ish-it, konflikti pas ekskursionit dhe dhuna një ditë para tragjedisë
Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për rastin e Xhuana Nikollajt, nga dëshmitë dhe komunikimet e…
SPAK thellon hetimet pas audio-përgjimit të denoncuar nga Ahmetaj, BKH sekuestron telefonat e Aleks Markut, Ron Yeffet, Arjeta Pucës dhe Ardi Veliut
SPAK ka thelluar hetimet e nisura pas publikimit të audio-përgjimit të denoncuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ndërsa BKH…
Kulla te Parku Rinia/ Gazetari holandez “shkatërron” projektin e BIG: I kopjuar, dembel dhe pa frymëzim; pikëpyetje mbi konkursin dhe rolin e Ramës
Projekti i studios daneze BIG për ndërtimin e një kulle në Parkun Rinia, në zemër të Tiranës, është…
Zgjerohet skandali i videove të Adi Hilës/ Zbulohen dy personazhe të tjera: biznesmeni Demo Haliti dhe këngëtari Gent Hoxha në regjistrimet intime
Skandali i videove intime që lidhen me kompozitorin Adrian Hila po merr përmasa të reja, ndërsa thuajse çdo…