Operatori One Albania ka vendosur të rrisë sërish tarifat për të gjithë abonentët duke nisur nga 1 maji 2026, duke u mbështetur në një formulë automatike të lidhur me inflacionin, pa asnjë lidhje reale me kostot e shërbimit që ofron.
Njoftimi është dërguar përmes një mesazhi standard për qytetarët, ku kompania deklaron se tarifat do të rriten deri në 2.2%, bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Por thelbi i çështjes qëndron tek fakti se ky mekanizëm nuk lidhet me një rritje konkrete të kostove në sektorin e telekomunikacionit.
Ndryshe nga produktet e tregut që ndikohen nga çmimi i naftës apo zhvillimet gjeopolitike, shërbimet celulare bazohen mbi infrastrukturë dhe frekuenca të licencuara, të cilat nuk kanë pësuar ndryshime që justifikojnë rritje të drejtpërdrejta çmimi. Megjithatë, kompania po aplikon një formulë që transferon automatikisht çdo rritje të inflacionit tek konsumatori, duke e kthyer atë në një faturë mujore më të lartë.
Mesazhi i dërguar abonentëve:
“I nderuar Pajtimtar! ONE Albania ju njofton se me efekt nga data 1 Maj 2026, do te pershtase tarifat per sherbimet celulare bazuar ne ndryshimin mesatar vjetor te indeksit te cmimeve te konsumit (ICK) te publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ne nivelin jo me shume se 2.2% mbi tarifen standarde te planit Tuaj tarifor…”

Kjo do të thotë që çdo paketë mujore do të shtrenjtohet automatikisht. Në dukje një rritje e vogël, por e përhershme dhe e garantuar çdo vit, nëse inflacioni vijon.
Problemi real nuk është vetëm kjo rritje, por fakti që ajo është institucionalizuar. Që në vitin 2024, One Albania ndryshoi kontratat duke futur një klauzolë që i jep të drejtën të indeksojë çmimet çdo vit sipas inflacionit. Fillimisht kjo u aplikua për bizneset, ndërsa tani po shtrihet për të gjithë abonentët.
Bëhet fjalë për një model ku rritja e çmimeve nuk varet më nga tregu apo konkurrenca, por nga një formulë automatike që i garanton kompanisë të ardhura më të larta çdo vit, ndërsa qytetarët përballen me fatura gjithnjë në rritje, pa marrë domosdoshmërisht më shumë shërbim.








