Një denoncim i bërë publik nga gazetari Osman Stafa ka ringritur shqetësimet serioze për mënyrën si po ofrohet shërbimi në spitalin Onkologjik. Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se pacientë të paraqitur për kimioterapi në datat e përcaktuara kanë gjetur dyert e mbyllura dhe nuk kanë marrë asnjë informacion paraprak për ndërprerjen e shërbimit.
Sipas Stafës, bëhet fjalë për pacientë që ndjekin protokolle të rregullta trajtimi dhe që nuk kanë mundur të marrin kimioterapinë për shkak të ditëve të pushimit. Ai thekson se vonesat në këto raste nuk janë thjesht çështje organizimi, por mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e trajtimit dhe në gjendjen e pacientëve që përballen me sëmundje të rënda.
Në reagimin e tij, gazetari ngre shqetësimin se shërbimi është ndërprerë për disa ditë radhazi, ndërsa pacientët nuk janë njoftuar më herët. Sipas denoncimit, një pacient që kishte të planifikuar kimioterapinë të premten, është përballur me katër ditë pritje për shkak të pushimeve, pa marrë asnjë sqarim në kohë nga strukturat spitalore.
Denoncimi i gazetarit Osman Stafa:
“Çfarë ndodh sot me pacientët e Onkologjikut? Pacienti paraqitet në spital për të kryer kimioterapinë sipas datës së përcaktuar dhe gjen derën e spitalit të mbyllur. Kimioterapia nuk është një procedurë që shtyhet sipas komoditetit të sistemit apo pushimeve zyrtare. Ajo ndiqet sipas protokolleve të përcaktuara, me intervale të sakta, sepse çdo vonesë mund të ndikojë në trajtimin e pacientit. Po, stafi ka të drejtë për pushim. Por një sistem normal shëndetësor nuk i lë pacientët pa shërbim dhe pa informacion. E premtja e javës së shkuar pushim, e shtuna dhe e diela pushim, e hëna sot po ashtu. Pra një pacient që duhet ta bënte kimion të premten, ka humbur sot 4 ditë. A e ka pushim kanceri këto 4 ditë?
Në vendet ku sistemi funksionon, edhe kur ka ditë pushimi, shërbimet jetike organizohen me personel të reduktuar, por nuk ndërpriten dhe mbi të gjitha, pacienti njoftohet, nuk lihet të vijë kot. Pacienti nuk njoftohet kur shërbimi nuk funksionon, por njoftohet vetëm kur mungojnë ilaçet. Kjo praktikë është e papranueshme. Jo vetëm si shërbim shëndetësor, por si trajtim njerëzor. Sepse në fund të ditës, nuk po flasim për një radhë të zakonshme. Po flasim për njerëz që luftojnë për jetën e tyre. Dhe kjo është një luftë që nuk njeh pushim.”

Denoncimi ka rikthyer në vëmendje problematikat e përhershme në menaxhimin e shërbimeve jetike për pacientët onkologjikë, një kategori që varet nga respektimi rigoroz i afateve të trajtimit dhe nga informimi i saktë nga ana e institucioneve shëndetësore.








