Skip to content
Të Gjitha

“Situata është serioze”, Pipero flet për rritjen e testimeve dhe numrit të infektuarve me COVID-19

· 2 min lexim

Mjeku Pëllumb Pipero mbrëmjen e sotme ishte i ftuar në emisionin ‘Open’ ku foli për situatën aktuale të pandemisë në vend dhe rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19.

Pipero tha se numri i rasteve ka ardhur për arsye të neglizhencës së qytetarëve, rritjes së numrit të testimeve dhe mos respektimi i protokollove.

“Mendoj rritja e numrit të testeve ka ardhur për arsye të neglizhencës, rritjes së numrit të testimeve dhe mos respektimi i protokolleve të caktuara. Me hapjen e vendit qytetarët menduan se virusi u largua duke mos respektuar masat”.

Ndërkohë kur Pipero u pyet për situatën ai u shpreh se gjendja është serioze dhe se kemi një numër të lartë infektimesh.

“Situata është serioze. Serioze sepse kemi një numër të lartë infektimesh, kemi një numër të lartë të shtruar në spitalin Infektiv”.

Kujtojmë se   në 24 orët e fundit janë regjistruar 3 viktima  nga koronavirusi i ri në Shqipëri, duke e çuar në total numrin e atyre që kanë vdekur nga virusi në 104. Viktima e parë është një 44-vjeçare nga Tirana, e cila ishte e intubuar (frymëmarrje të drejtuar për 10 ditë) dhe vuante nga disa sëmundje, përveç obezitetit. Viktimat e tjera janë edhe një 64 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçare nga Vlora me sëmundje bashkëshoqëruese.Ndërkohë, një numër shumë i lartë i rasteve të reja, vazhdon të jetë shqetësues për autoritetet, pasi 99 persona janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në 24 orët e fundit.

Deri më tani Shqipëria ka regjistruar  gjithsej 3,851 raste COVID-19, përfshirë 104 vdekje që prej fillimit të shpërthimit, ndërsa 1.610 prej tyre janë aktivë.