Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, plagët mbeten të hapura për shumë familje që ende nuk kanë një çati mbi kokë. Në fshatin Drojë të Kurbinit, 70-vjeçarja Luljeta Prela vazhdon të jetojë mes kontenierit dhe një dhome të lagësht në banesën e vjetër të shpallur të pabanueshme, ndërsa rindërtimi i shtëpisë së saj ka mbetur pezull.
“Si kam vuajtur këto gjashtë vitet e tërmetit, mos i harrofsha”, thotë Luljeta Prela, duke përmbledhur me pak fjalë një periudhë të gjatë pasigurie dhe sakrifice.
Banesa e saj u shpall e pabanueshme pas tërmetit të fortë që goditi vendin më 26 nëntor 2019. Fillimisht, ajo jetoi në çadër. Më pas, u zhvendos në kontenier së bashku me familjen. Gjatë kësaj kohe të vështirë, humbi bashkëshortin, ndërsa djemtë u detyruan të emigrojnë për shkak të kushteve të rënda ekonomike.
Rreth tre vite më parë nisi ndërtimi i shtëpisë së re me fondet e rindërtimit. Por objekti mbeti i papërfunduar. Sipas Luljetës, punimet u ndërprenë para vendosjes së tjegullave. Djali i saj kishte investuar rreth 1.5 deri në 2 milionë lekë për përforcimin e çatisë, në përpjekje për ta bërë banesën më të sigurt.
Nga ana tjetër, Bashkia e Kurbinit ka deklaruar se vonesat kanë ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi cilësinë e materialeve me 70-vjeçaren. Luljeta e mohon këtë pretendim. Pas përballjes së emisionit “Piranjat” me bashkinë dhe firmën e kontraktuar për rindërtimin, punimet në çati kanë rifilluar. Firma ka premtuar përfundimin e banesës brenda pak muajsh.
Megjithatë, realiteti mbetet i hidhur. Gjashtë vite pas tërmetit, një e moshuar jeton ende pa shtëpinë e saj, në kushte të papërshtatshme, mes lagështirës dhe pasigurisë. Për familje si ajo e Luljetës, rindërtimi nuk është thjesht një projekt, por një premtim që vazhdon të presë të mbahet.








