Është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare aktori fierak, Fuat Boçi. Me një karrierë të gjatë në skenën shqiptare, Boçi ka luajtur mbi 600 role, shumë prej tyre të mbetura në memorien e publikut shqiptar.
Fuat Boçi lindi në vitin 1931 në Voshtinë dhe më pas, në vitin 1938 familja e tij u shpërngul në qytetin e Fierit.
Ai ishte një prej themeluesve të Estradës së Fierit, ku ka luajtur shumë role.
Në karrierën e tij veçohen rolet e Belulit në monologun “A doni më për Belulin”, apo Lipe Shtogu te skeçi “Lipja prapa liste”. Role të tjera të Fuat Boçit janë edhe ai i dajës te “Shi në plazh” apo Sotiri te komedia “Një budalla e gjysmë”.
Fuat Boçi është vlerësuar me titujt “Qytetar Nderi i Fierit” dhe “Artist i merituar”.