Një emigrant shqiptar është bërë simbol i trimërisë në Greqi, pasi shpëtoi dy të mitur nga mbytja në lumin Arachthos, në zonën e Neokorit të Artës.
Levian Goga, i cili ndodhej aty rastësisht, ndërhyri pa hezitim, duke rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar fëmijët nga vorbullat e ujit të thellë.
Ngjarja ndodhi kur Goga, ndërsa pinte një kafe në lokalin e zonës, dëgjoi një fëmijë që bërtiste për ndihmë. Ai nuk e mendoi dy herë: u nis me makinë drejt lumit, por nga bregu nuk mund të shihte gjë.
Bashkë me disa banorë të zonës, hipi në një varkë dhe u fut menjëherë në ujë.
“Nuk më intereson kush janë, çfarë race, çfarë feje. Unë jam i huaj, por jam qenie njerëzore. U zhyta rreth metra thellë. E pashë fëmijën në fund të lumit, i palëvizshëm, i nxirë. E kapa me forcë dhe e nxora. Pastaj më thanë se kishte edhe një tjetër. U zhyta sërish, disa herë, derisa e gjeta. Edhe ai kishte gjak në gojë dhe hundë. U frikësova,” tregoi ai me zë të dridhur për mediat greke.
Nga përpjekja e tij, Levian Goga pësoi një frakturë në këmbë dhe ndodhej në pritje të trajtimit në urgjencë kur dha intervistën. Ai theksoi se në ato momente nuk mendoi për asgjë tjetër, përveçse për t’i shpëtuar fëmijët.
“Njëri prej fëmijëve ishte në moshën e vajzës sime. Nuk mendoja për asgjë tjetër, vetëm për t’i shpëtuar. Bëra atë që do të bënte çdo prind,” – tha ai, duke shtuar se donte vetëm të kthehej në shtëpi për të qetësuar fëmijët e tij që e prisnin të shqetësuar.
Banorët e zonës e quajnë një “hero të heshtur”, ndërsa për vetë Gogën, gjithçka ishte një reagim njerëzor që buronte nga instinkti prindëror.
“Shpresoj vetëm që ata të jetojnë. Të zgjohen. Të kenë jetën që u takon,” u shpreh ai, pak çaste para se të mbyllte telefonatën me gazetarin.
Zona ku ndodhi ngjarja është një nga segmentet më të rrezikshme të lumit Arachthos, i njohur për vorbullat e thella dhe rrymat e forta.
Banorët lokalë kanë denoncuar prej kohësh mungesën e masave mbrojtëse, tabelave paralajmëruese dhe barrierave mbrojtëse, një neglizhencë që, sipas tyre, ka rrezikuar jetën e shumë banorëve dhe mund të kishte përfunduar në një tragjedi të vërtetë pa ndërhyrjen e emigrantit shqiptar.