Të paktën 45 familje të komunitetit rom në Shkodër rrezikojnë të mbeten pa strehë, pasi u është kërkuar të lirojnë banesat e tyre për shkak të një projekti për rikualifikimin e hyrjes së qytetit.
Banorët shprehen të zhgënjyer dhe akuzojnë kryebashkiakun Benet Beci se nuk ka mbajtur premtimin për t’u siguruar një vend alternativ para zhvendosjes.
Ata thonë se u ishte premtuar që nuk do të largoheshin pa një zgjidhje strehimi, por tani ndihen të braktisur.
Urdhri për lirimin e tokës ku kanë ndërtuar banesat e tyre ka ardhur prej disa ditësh, por familjet thonë se nuk kanë asnjë mundësi tjetër për t’u strehuar.
Për ta, kjo situatë nuk është vetëm një çështje banimi, por edhe mbijetese, pasi nuk dinë ku të shkojnë dhe si të vazhdojnë jetën pa një çati mbi kokë.