Skip to content
Të Gjitha

Shembja e Teatrit Kombëtar dhe kalimi i pronësisë , Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Metës për gjykim

· 1 min lexim

Gjykata Kushtetuese ka vendosur pranimin e ankimimit të presidentit Ilir Meta, në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, për të kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Kjo padi e Metës u depozitua  më 14 maj, 3 ditë përpara se Teatri Kombëtar të shembej më 17 maj.

Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë tani  nëse kalimi i pronësisë së godinës nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës është i ligjshëm apo jo. Vetë Meta në qëndrimin e tij, është shprehur se Teatri Kombëtar është pasuri kombëtare dhe ndryshimi i pronësisë ka qenë i paligjshëm.

Deri më tani presidenti Meta  i është drejtuar dy herë Gjykatës Kushtetuese, për të mos lejuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Meta ka depozituar kërkesë për shfuqizimin e ligjit special për shembjen e godinës, ndërsa ka kërkuar edhe shqyrtimin për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës.

Këto dy ankimime do të shqyrtohen në momentin që Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale.