Konflikti i nisur mes Izraelit dhe Iranit po reflektohet edhe në ekonominë shqiptare, kryesisht përmes rritjes së çmimeve të karburanteve, shtrenjtimit të transportit të mallrave dhe pasigurisë në sektorin e turizmit. Edhe pse Shqipëria nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, efektet zinxhir në tregjet globale kanë nisur të ndihen në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.
Rritja e çmimit të naftës dhe reflektimi në tregun vendas
Pas sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare u rritën ndjeshëm, duke sjellë edhe rritje në tregun shqiptar. Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, tha se për disa pika furnizimi në vend çmimi i naftës u rrit me rreth 4 lekë për litër.
Sipas tij, para sulmit nafta e rafinuar blihej rreth 700 dollarë për ton, ndërsa më pas arriti në 900 dollarë për ton. Pas mbylljes së rafinerisë “Ras Tanura” në Arabinë Saudite, e goditur nga një sulm me dron, çmimi në bursat ndërkombëtare arriti deri në 1,150 dollarë për ton.
Kjo rritje, sipas Aliajt, përfaqëson një shtim rreth 65% të çmimit të naftës së rafinuar dhe tregon mungesën e produktit në tregun global. Pas mbylljes së rafinerisë, tregut botëror i mungojnë rreth 7 milionë fuçi naftë në ditë, ose rreth 6% e konsumit global.
Në Shqipëri, çmimi i naftës me pakicë u rrit nga rreth 175 lekë për litër në 182 lekë për litër, duke shkaktuar debat mes ekspertëve që e konsideruan rritjen abuzive, pasi kompanitë kanë detyrimin të mbajnë rezerva sigurie për 90 ditë.
Aliaj shpjegon se rezervat ekzistojnë fizikisht, por çmimi i tyre nuk është i fiksuar në momentin e depozitimit. Ai përcaktohet sipas çmimit të tregut në momentin kur karburanti del nga depozitat dhe hidhet në tregun me pakicë, sipas kuotimit ndërkombëtar të njohur si “platts”.
Transporti i mallrave deri 10% më i shtrenjtë
Lufta po ndikon edhe në kostot e transportit detar dhe rrugor. Operatorët e transportit raportojnë se tarifat janë rritur me 6 deri në 10% pas rritjes së çmimeve të karburanteve.
Administrator i kompanisë “Dedja Shipping”, Artur Dedja, tha se transporti detar në rajonin e Mesdheut dhe Detit të Zi kishte nisur të përjetonte luhatje të tarifave që në fillim të vitit 2026, për shkak të kushteve klimatike. Në muajin shkurt tarifat u rritën me rreth 20% për shkak të motit të keq, ndërsa në mars u regjistrua një rritje mesatare prej 10%.
Sipas tij, tensionet në Lindjen e Mesme dhe sulmet ndaj rafinerive rajonale kanë rritur pasigurinë në tregjet e energjisë, duke sjellë një rritje shtesë të tarifave.
Dedja paralajmëron se nëse tensionet vazhdojnë dhe Ngushtica e Hormuzit mbyllet, kostot e transportit mund të rriten edhe më shumë, veçanërisht për linjat që lidhen me Azinë.
Në të njëjtën kohë, kompanitë e transportit rrugor në Shqipëri kanë rritur tarifat me rreth 6 deri në 7%, pasi nafta përbën rreth 60 deri në 70% të kostos totale të transportit.
Tarifat konkrete të transportit
Sipas operatorëve, tarifat e transportit detar drejt Durrësit variojnë sipas zonës së nisjes dhe madhësisë së anijes. Për anijet e vogla Coasters, transporti nga Deti Marmara drejt Durrësit kushton rreth 23 deri në 25 dollarë për ton, nga Deti i Zi Lindor rreth 31 deri në 33 dollarë për ton, ndërsa nga Mesdheu Lindor rreth 27 deri në 30 dollarë për ton.
Për anijet Handy që transportojnë mallra nga Deti i Zi drejt Adriatikut, tarifat janë rreth 21 deri në 23 dollarë për ton. Ndërsa për linjat nga bregu lindor i SHBA drejt Adriatikut, tarifat arrijnë deri në 55 deri në 57 dollarë për ton.
Edhe transporti rrugor është shtrenjtuar. Për shembull, tarifa për eksport mallrash nga Durrësi drejt Milanos ka kaluar nga 1500 deri në 1700 euro për kamion, në rreth 1600 deri në 1800 euro. Ndërsa importet nga Milano në Durrës kanë arritur deri në 2700 euro për kamion.
Rreziku për çmime më të larta dhe vonesa në furnizim
Operatorët paralajmërojnë se rritja e kostos së transportit dhe e karburantit mund të reflektohet edhe në çmimet e mallrave të konsumit në Shqipëri, veçanërisht për produktet e importuara.
Përveç rritjes së çmimeve, ekziston edhe rreziku i vonesave në furnizim, pasi shumë kompani transporti po devijojnë rrugët e anijeve për të shmangur zonat e tensionuara, duke rritur kohën e transportit dhe kostot operative.
Sipas tyre, sektorë si ndërtimi, ushqimi dhe energjia mund të jenë ndër më të prekurit nëse konflikti zgjatet.
Pesha e vogël e tregtisë me Izraelin dhe Iranin
Megjithatë, tregtia direkte e Shqipërisë me Izraelin dhe Iranin mbetet shumë e vogël.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2025 Shqipëria importoi mallra me vlerë rreth 887 miliardë lekë. Importet nga Izraeli ishin rreth 2.7 miliardë lekë, ose vetëm 0.3% e totalit.
Pjesa më e madhe e këtyre importeve përbëhet nga makineri dhe pajisje elektrike, me rreth 57% të totalit. Ndërsa importet nga Irani ishin rreth 2.9 miliardë lekë, po ashtu rreth 0.3% e totalit.
Kjo do të thotë se ndikimi kryesor i luftës për Shqipërinë nuk vjen nga tregtia direkte me këto vende, por nga pasojat globale që konflikti po shkakton në tregjet e energjisë, transportit dhe zinxhirët e furnizimit.








