Rritja e çmimit të naftës po e shtyn edhe më tej drejt krizës transportin interurban, ndërsa operatorët në Elbasan thonë se janë në kufijtë e mbijetesës dhe paralajmërojnë se rritja e biletave është çështje kohe, nëse nuk ndërhyhet me masa mbështetëse për këtë sektor.
Drejtuesit e linjave interurbane ankohen se kostot janë rritur në mënyrë të papërballueshme dhe se aktiviteti po mbahet me shumë vështirësi. Sipas tyre, gjendja është aq e rënduar, sa disa linja po punojnë të reduktuara dhe rreziku i falimentimit është i menjëhershëm.
Njëri prej shoferëve shprehet hapur për situatën dramatike që po kalojnë:
“Mund të rezistojmë dhe 2 javë po rezistuam. Vetëm 2 autobusë po punojmë. Jemi prag falimentimi”.
Edhe pse aktualisht bileta është 150 lekë, vetë operatorët pranojnë se nuk e përjashtojnë një rritje të afërt të saj. Megjithatë, ata thonë se ndodhen përballë një dileme të fortë, pasi nga njëra anë nuk përballojnë më kostot, ndërsa nga ana tjetër qytetarët nuk kanë mundësi të mbajnë një tjetër barrë financiare.
“Sot është 150 lekë bileta, duke parë e duke bërë. S’mund të shprehemi dot para kohe, sepse njerëzit nuk e përballojnë dot”, thotë një tjetër shofer.
Pasojat e një rritjeje të çmimit të biletës pritet të bien drejtpërdrejt mbi qytetarët, të cilët po përballen prej kohësh me rritjen e përgjithshme të kostos së jetesës. Për shumë prej tyre, edhe transporti publik po kthehet në një shërbim gjithnjë e më të vështirë për t’u përballuar.
“Nuk e përballojmë dot, po ecim dhe në këmbë”, shprehet një i moshuar.
Situata bëhet edhe më shqetësuese nga fakti se në disa zona të vendit, linjat interurbane i kanë rritur tashmë çmimet e biletave menjëherë pas shtrenjtimit të naftës, duke dhënë sinjalin se e njëjta valë mund të përfshijë së shpejti edhe qytete të tjera. Në mungesë të një ndërhyrjeje konkrete, transporti rrezikon të futet në një spirale ku operatorët shkojnë drejt mbylljes, ndërsa qytetarët mbeten përballë çmimeve gjithnjë e më të larta.








