Skip to content
Të Gjitha

Rikthehet skema e Endrit Dokles! Solli lumë vrasjesh, i dënuari me burgim të përjetshëm kërkon lirinë

· 3 min lexim

Me rikthimin e situatës normale në vendin tonë, duket se edhe të burgosurit tashmë të mërzitur në qeli, duan të dalin e t’i rikthehen jetës.

Para pak muajsh, mediat u pushtuan nga lirimet e njëpasnjëshme të të burgosurve të përjetshëm, teksa së fundmi një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm po përpiqet që të lërë qelinë.

Dosja.al, raporton se bëhet fjalë për të dënuarin Edmond (Edi) Batra, i cili është arrestuar në vitet ’98-’99.

Mësohet se Brata, duke ndjekur strategjinë e Endrit Dokles, i dënuari me burg të përjetshëm që fitoi lirinë përmes vendimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha, i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për njohje amnistie të viteve 2014-2015 dhe 2016.

Kjo kërkesë është pranuar pak ditë më parë nga Taulant Tafa, gjyqtar në Elbasan, duke i ulur gati dy vite burgim  dhe duke e bërë gati për depozitimin e kërkesës për lirimin me kusht, pasi Brata, e ka kryer tashmë ¾ e dënimit, në burgun e Peqinit.

Në dosjen që u përpilua për përfitimin e amnistisë, shkruhet edhe për sjelljen e mirë të Batrës në qeli, për ta marrë në konsideratë në uljen e dënimit të këtij të burgosuri.

Ky vendim i marrë nga gjyqtari Taulant Tafa, tashmë është apeluar në gjykatën e Apelit Durrës, ku pritet që kjo e fundit të marrë në shqyrtim rastin.

Batra shumë vite më parë u fut në shtëpinë e komshiut të tij, Lulash Kronit, i cili në atë kohë punonte si kambist dhe grabiti paratë që ai kishte në banesë.

Në momentin që Batra po dilte nga banesa u pikas nga Kroni dhe e qëlloi atë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.

Ndonëse Batra u dënua me burgim të përjetshëm, ky krim solli një seri vrasjesh në Shkodër, për shkak të hakmarrjes.

Djali i viktimës, Art Kroni, gjashtë muaj pasi u ekzekutua babai i tij shkoi në Milano për të vrarë Land Batrën, vëllain e autorit Edmond Batra.

Kroni u kthye më pas për në Shkodër dhe pas tre muajsh u nis drejt Kolumbisë, ku  u ekzekutua me breshëri plumbash.

Po ashtu, Edmond Batra është akuzuar edhe për vrasjen e Marjanit, një muzikant në Shkodër, që u ekzekutua nga disa grabitës që iu futën në shtëpi, pasi ai i pikasi ata, por kjo akuzë nuk është provuar.