Rama takon Merkelin të hënën, ja çështjet që pritet të diskutohen
Kryeministri Edi Rama do të takohet të hënën në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Siç shkruan “Deutsche Welle”, lajmin e konfirmoi ditën e sotme zv.zëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer.
Në fokus të bisedimeve do të jetë ndihma e Gjermanisë për rimëkëmbjen e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Rama e kishte paralajmëruar vizitën me Merkel pas takimit të tij në Romë, ku mori mbështetjen e Italisë për konferencën e donatorëve, që do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel.
Drejtuesja e konferencës do të jetë vetë kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Në bisedën joformale që Rama zhvilloi me ministrin e Jashtëm italian, Luigi di Maio, tha se kostoja e rimëkëmbjes së zonave të shkatërruar nga tërmeti përllogaritet afro 1 miliardë euro.
Temat e tjera që priten të diskutohen mes Ramës dhe Merkel janë perspektiva evropiane e BE dhe kryesia e Shqipërisë në OSBE.
Në bisedën me homologun kroat, Merkel përsëriti edhe njëherë, që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duhet të trajtohen njësoj.